Shpirti i Shenjtë është Person hyjnor

DJ-të (Dëshmitarët e Jehovait) thonë se Shpirti i shenjtë është jofrymore d.m.th. që ai është vetëm një forcë, një fuqi, një energji që Perëndia e përdor për t’i përmbushur qëllimet e tij. Për pasojë Ai është, sipas teorisë së tyre, fuqia e Perëndisë dhe asgjë më shumë; ashtu siç mund të flasë njeriu për energjinë dhe fuqinë e trupit të tij fizik por që këto nuk janë njeriu vetë. Revista e tyre Kulla e Rojës, që u botua më 1 maj 1994, tek faqja 11 thotë: “…Shpirti i shenjtë është forca vepruese e Perëndisë”.

Ata marrin vargje që flasin për derdhjen e Shpirtit të shenjtë dhe pastaj shtrojnë pyetjen: “Nëse Shpirti i shenjtë është Person, atëherë si mund të derdhet Ai?”, pa kuptuar se, sigurisht në Shkrimet për Frymën e Shenjtë flitet simbolikisht si për ujin (Gjoni 7:37-39) dhe si për zjarrin (Veprat 2:3), vajin (Isaia 61:1-2), erën (Veprat 2:1-4) po ashtu edhe si për një pëllumb (Mateu 3:16).

Gjithashtu ata nganjëherë kapen pas faktit që fjala greke që përdoret për frymë në DhR-në është pneuma, fjalë e cila është e gjinisë asnjanëse. Ata thonë se, meqenëse është e gjinisë asnjanëse, atëherë Shpirti i shenjtë nuk mund të jetë Person, por duhet të jetë jofrymore. Sigurisht, ky argumentim është i pabazë, pasi gjinia gramatikore e një fjale nuk ka të bëjë aspak me faktin që diçka është frymore apo jofrymore. Nëse argumenti i DJ-ve do të ishte i vërtetë, atëherë, meqë fjala Perëndi në shqip është e gjinisë femërore, kjo do të thoshte që Perëndia është femërore. Dhe, sigurisht, kjo është marrëzi! Si një shembull tjetër mund të marrim dy fjalët shqipe frymë dhe shpirt që përdoren zakonisht për ta përkthyer fjalën spirit në anglisht. Fraza Holy Spirit jepet herë si Shpirti i shenjtë dhe herë të tjera si Shpirti i Shenjtë. Fjala shqipe frymë është e gjinisë femërore; fjala shpirt është e gjinisë mashkullore; atëherë (sipas argumentimit të tyre) cilës gjinie i përket kjo përfundimisht? Argumentimi i tyre që mbështetet në gjininë gramatikore të një fjale është i pakuptimtë!Prandaj edhe nuk të çudit fakti që DJ-të mohojnë hyjësinë e Shpirtit të shenjtë, pasi e kupton se ky mohim është një pasojë e natyrshme e besimit që ata kanë se ai nuk është Person. Nëse ai nuk është një Qenie frymore, atëherë si mund të jetë Ai Perëndi? DJ-të gjithmonë i referohen Shpirtit të shenjtë si “frymë e shenjtë” për të bërë që emri i tij të tingëllojë jofrymor.

Sidoqoftë, në Shkrimet ka vargje që flasin për Frymën e Shenjtë që i japin Atij atributet dhe karakteristikat që vetëm një person mund t’i ketë dhe të cilat është e pamundur t’ia veshësh një force jofrymore. Për më tepër, në Shkrimet zbulohet qartë edhe natyra e tij hyjnore.

Shpirti i shenjtë është Person

1. Ai lidhet me të dy, me Atin dhe Birin, të cilët, të dy, janë Persona, në formulën e pagëzimit (Mateu 28:19). Kjo bashkëvendosje tregon se ai është Person. Mateu thotë këtu të pagëzohen “në emër të…Shpirtit të shenjtë”. Ne mund të pagëzojmë në emër të tij vetëm nëse ai është Person. Vini re se të pagëzohesh për dikë apo në emër të dikujt do të thotë të lidhesh me këtë person si me udhëheqësin tënd shpirtëror (1 Kor. 1:12-16; 10:1-4) dhe nga kjo duket qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë lloj force. Një forcë nuk mund të jetë udhëheqësi ynë shpirtëror. Kështu nëse kemi për t’u pagëzuar në emër të Shpirtit të shenjtë atëherë Ai duhet të jetë Person.
2. Ai erdhi ta zëvendësonte Krishtin mbi tokë. Ai është Ngushëlluesi i premtuar (Gjoni 14-16). Jezusi tha se ishte diçka e mirë që ai vetë po largohej (16:7) që kështu të vinte Shpirti i shenjtë. Jezusi ishte person dhe nuk do të ishte aspak e mirë nëse do ta kishte zëvendësuar veten me një “diçka” që nuk mund të ishte gjithçka që ai kishte qenë për dishepujt për ato tri vite; kjo do të ishte një humbje e pallogaritshme!
3. Ai mund të trishtohet (Efes. 4:30). Është diçka që dihet mjaft mirë që një gjë jofrymore nuk ka ndjenja të cilat mund të preken dhe kështu kjo gjë të trishtohet; vetëm personat kanë ndjenja të tilla. Këtu Shpirti i shenjtë na përshkruhet me ndjenja. Për këtë Ai është Person. Shumë herë u kam bërë sfidë DJ-ve në lidhje me këtë varg dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme rreth kësaj çështjeje.
4. Ai mund të gënjehet (Veprat 5:3). Është e logjikshme që dikush nuk mund të gënjejë diçka që është jofrymore. Nuk mund ta gënjesh një “gjë”! Ai është Person.
5. Ai ka vullnet dhe vepron (1 Kor. 12:11). Në këtë varg na flitet për shpërndarjen e dhuntive të Shpirtit të shenjtë në të gjithë Trupin e Krishtit. Kjo punë bëhet prej Frymës ashtu si vendos Ai vetë. Kështu Ai edhe ka vullnet edhe vepron për ta bërë shpërndarjen. Përsëri pra, duket qartë që këto nuk janë veçori që mund t’i ketë një “gjë”.
6. Ai ka mendje (Neh. 9:20; Rom. 8:27). Duket qartë që është Person.
7. Ai flet, udhërrëfen, mëson dhe drejton (Veprat 8:29; 13:2,4; 16:6,7; Lluka 2:27; Zbulesa 2:7,11,17,29; 3:6,13,22; Gjoni 14:26; Rom. 8:14). Është e qartë se një “diçka” nuk mund të komunikojë. Mjaft interesante gjithashtu janë fjalët te Veprat 16:7 ku na thuhet se Fryma nuk i lejoi të predikonin Ungjillin në Bitini.
8. Ai ka njohuri të mendimeve të Perëndisë (1 Kor. 2:10,11).
9. Ai zbulon të vërteta shpirtërore (Lluka 2:26). Përsëri, kjo është puna e një Personi.

Shpirti i shenjtë ka natyrë hyjnore

1. Ndaj Tij mund të blasfemohet (Mat. 12:31-32). Përsëri është një fakt i thjeshtë dhe i qartë që mund të blasfemohet vetëm kundër Perëndisë. As ndaj njerëzve, as ndaj sendeve jofrymore dhe as ndaj forcave nuk mund të blasfemohet, veçse ndaj Perëndisë. Shih edhe tek Heb. 10:29.
2. Ai quhet Perëndi te Veprat 5:3-4. Në vargun 3 Pjetri e akuzon Ananinë se ka gënjyer Frymën e Shenjtë, dhe pastaj në vargun 4 vazhdon duke thënë se ai ka gënjyer Perëndinë.
3. Atij i atribuohen veti dhe veprime hyjnore.
a. Ai krijon, Jobi 33:4, Ps. 104:30.
b. Ai është i kudondodhshëm, Ps. 139:7-10.
c. Ai është i gjithëdijshëm, 1 Kor. 2:10,11.
ç. Ai është dhënësi i jetës, Gjoni 6:63.
d. Ai është Autori i rilindjes, Gjoni 3:5,6.
dh. Ai bind botën për mëkat, drejtësi e gjykim, Gjn. 16:8-11.

Mësimi i qartë i vargjeve të mësipërme është një mësim të cilit nuk mund t’i shpëtosh dot dhe DJ-të nuk mund t’i shmangen. Shpirti i shenjtë është PERSON që ka NATYRË HYJNORE. Ai është Perëndia, në kuptimin më të plotë të fjalës.

Çfarë gabimi tragjik!

Ç’gabim të mjerë e tragjik që bëjnë këtu DJ-të! Ata e quajnë Perëndinë Frymë të Shenjtë një gjë jofrymore, në vend që ta nderojnë Atë si një PERSON HYJNOR! Ata e kthejnë Atë në diçka të krijuar në vend që ta nderojnë Atë së bashku me Atin dhe Birin si Zotin dhe Dhënësin e jetës.

Mohimi i doktrinave të tilla bazë të Krishterimit rreth të qenit Person dhe hyjësisë së Shpirtit të shenjtë kanë pasoja të rënda. Këto nuk janë çështje të vogla dhe të parëndësishme! Në vend që të mundë ta njohin Perëndinë nëpërmjet Zotit Jezus dhe në vend që t’i njohin thesarin dhe lavdinë e shpëtimit dhe bekimeve të tij në jetën e tyre, DJ-të mbeten vetëm me një fe që ata vetë e kanë krijuar, një fe të bazuar në shtrembërimin e Shkrimeve sipas ideve të gabuara që janë shpikur prej njerëzve, nëpërmjet ideve që nuk i kanë aspak veprimin, praninë ose bekimin e Shpirtit të shenjtë. Ata kanë lëvozhgën dhe guackën – një fe boshe – pa jetën e vërtetë dhe fuqinë e një marrëdhënieje të vërtetë me Perëndinë dhe kështu, me forcat e tyre të dobëta njerëzore, ata vazhdojnë në rropatjet e tyre fatkeqe për ta kënaqur një Perëndi që nuk e njohin. Zemrat e tyre mbeten po aq boshe sa edhe ato të çdo jobesimtari. Gjithmonë janë duke mësuar, por kurrë nuk arrijnë ta njohin të vërtetën! Ata kanë fenë, por e kanë atë të pajetë!

Në vend të kësaj, dëshira dhe vullneti i Perëndisë për njerëzit është që këta ta njohin Atë si Shpëtimtarin dhe Atin e tyre; duke njohur në brendësi të tyre fuqinë ripërtëritëse të Frymës së tij që i krijon rilindjen dhe jetën e re; duke njohur dëshminë e Frymës së tij në brendësi të tyre dhe sigurinë e pranimit të Perëndisë në jetën e tyre; duke njohur thirrjen “Aba, o Atë!”, thirrjen e Frymës në zemrat e tyre, dhe dëshminë e Frymës që u tregon se ata janë vërtet fëmijë të Perëndisë; duke njohur çdo ditë brendabanimin e praninë e ëmbël që mbetet në zemrat e tyre, dhe fuqinë e ngushëllimin e tij në kohë nevoje; shoqërinë e praninë e tij të ëmbël në mbledhje besimtarësh, si dhe në shoqëri me besimtarët e tjerë; udhëheqjen e drejtimin e tij në jetën e në punën e përditshme dhe rritjen e bukur të hireve dhe frutave të Shpirtit të shenjtë në jetën e tyre; lavdërimin dhe adhurimin e vërtetë për Zotin që Fryma u jep zemrave të tyre, lavdërim dhe adhurim që i ngre lart, i ndërton dhe i forcon; fuqinë dhe mirosjen e tij në jetën, dëshminë dhe predikimin e tyre; dashurinë e thellë për Krishtin që është krijuar dhe rritet gjithnjë e më shumë, gjë kjo që çon në dëshirën për ta njohur, për ta dashur dhe për të jetuar për Të gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre. Dhe të gjitha këto gjëra DJ-të nuk i njohin aspak, atyre u mungojnë të gjitha këto! Çfarë gabimi tragjik dhe çfarë pasojash tragjike për ta!

Nga: “Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait” – Mike Brown

Bookmark the permalink.