Kurani i jep autoritet Biblës
Kurani si autoriteti më i lartë për të gjithë myslimanët, i jep autoritet Biblës duke e pranuar autenticitetin e saj së paku deri në shekujt e shtatë-nëntë. Vini re suret e mëposhtme:
Surja El Bekare 2:136 nxjerr në pah që nuk ka dallim midis shkrimeve të mëparshme dhe ato të Kuranit, duke thënë: ”…atë që na u shpall neve…Isait…ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre…” Surja Ali Imran 3:2-3 vazhdon: ”Allah…Ai zbriti më parë Tevratin (Ligjin e Mojsiut) dhe Ingjilin (ungjillin e Jezusit)…si një udhërrëfim për njerëzit.” Surja En Nisaë 4:136 e çon këtë gjë më larg duke këshilluar myslimanët që t’i…Besonin…librit që e pat zbritur më parë.” Tek Surja El Maide 5:46,49,50,52 ne gjejmë një thirrje direkte drejtuar të krishterëve që të besojnë në shkrimet e tyre: ”…Ne vazhduam me …Isain, birin e Merjemes, vërtetues i Tevratit që kishin më parë. Atij i dhamë Inxhilin…Që ithtarët e Inxhilit të gjykojnë sipas asaj që Allahu e zbriti në të. E kush nuk gjykon sipas asaj që Allahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit…” Sërish, tek Surja El Maide 5:68 e gjejmë një thirrje të ngjashme: ”O ithtarë të Librit!…zbatoni Tevratin, Inxhilin dhe atë që ju zbriti nga ZOTI JUAJ. E kjo që t’u zbrit ty nga ZOTI YT…”
Për të inkurajuar këtë ide të autoritetit të Dhiatës së Re dhe të Vjetër, ne gjejmë tek Surja Junus 10: 94 ku myslimanët njoftohen që të këshillohen me këto shkrime nëse kanë dyshim në shkrimet e tyre, duke thënë: ”Po, nëse je në dyshim për këtë që të zbritëm ty, atëherë pyeti ata që lexojnë Librin para teje. Ty të erdhi nga Zoti yt e vërteta.” Dhe si për ta theksuar këtë pikë, këshilla e njëjtë përsëritet në Surja En Enbija 21:7, duke thënë: ”…Ne edhe para teje nuk dërguam pos burra, të cilëve u dhamë shpallje, e nëse nuk e dini këtë, atëherë Pyetni njerëzit e dijshëm.”
Dhe në fund, tek Surja El Ankebutë 29:46 kërkohet nga myslimanët që të mos vënë në dyshim autoritetin e shkrimeve të të krishterëve, duke thënë: ”Ithtarët e librit mos i polemizoni …thuajuni: Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që ju zbriti juve…”
Nëse ka diçka që është e qartë në këto sure atëherë është kjo gjë, që Kurani prerazi mbështet Torën dhe Ungjillin si zbulesa të mirëfillta dhe autoritative nga Perëndia. Kjo përputhet me atë që besojnë të krishterët gjithashtu. Në fakt, askund në Kuran nuk ndodhet ndonjë paralajmërim që shkrimet e mëparshme kanë qenë të korruptuara ose të jenë kundërthënëse. Nëse Kurani do të ishte zbulesa e fundit dhe e plotë, nëse ai është vula e të gjitha zbulesave paraprake siç pretendojnë myslimanët, atëherë me siguri autori i Kuranit do të duhej të përfshinte një paralajmërim kundër asaj që ka qenë e korruptuar në shkrimet e mëparshme. Por askund nuk mund ta gjejmë as edhe një shenjë që Bibla të ishte kontradiktore, ose që të ishte me të vërtet e korruptuar. Mirëpo janë disa myslimanë, që bëjnë debat sepse sipas Surja El Bekare 2:140 ata thonë se hebrenjtë dhe të krishterët i kanë korruptuar shkrimet e tyre. Ky ajet thotë (duke ju referuar hebrenjve), ”…Kush është më mizor se ai, që e ka dëshminë e Allahut pranë veti dhe e fshehë?” Por askund në këtë ajet nuk thuhet që hebrenjtë dhe të krishterët i kanë korruptuar shkrimet e tyre. Ai thjesht përmend që disa hebrenj e kanë fshehur “ dëshminë e Allahut.” Me fjalë të tjera dëshmia është akoma aty (si rrjedhim i kësaj në suret që i përmendëm më parë myslimanët këshillohen që t’i respektojnë shkrimet e mëparshme), edhe pse pasuesit e asaj dëshmie kanë vendosur ta fshehin atë. Ky ajet nuk është asgjë veçse një përkrahje që tingëllon për besueshmërinë e këyre shkrimeve të mëparshme, pasi që supozon që një dëshmi nga Allahu ekziston midis komunitetit të hebrenjve.
Perëndia nuk e ndryshon Fjalën e tij
Për më tepër, si shkrimet e të krishterëve ashtu edhe Kurani i myslimanëve mbajnë qëndrimin që Perëndia nuk e ndryshon fjalën e tij. Ai nuk e ndryshon zbulesën e tij (pavarësisht nga ligji i shfyqizimit i gjetur në Kuran). Surja Junus 10:64 thotë: ”Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim.” Kjo përsëritet tek surja El En’amë 6:34: ”S’ka kush që ndryshon fjalët e Allahut,” që mund ta gjejmë edhe tek surja Kaf 50:28,29. Edhe ne gjithashtu kemi në Bibël, një numër referencash që flasin për pandryshueshmërinë e fjalës së Perëndisë; siç janë Ligji i Përtërirë 4:1-2; Isaija 8:20; Mateu 5:17-18; 24:35; dhe Zbulesa 22:18-20. Nëse kjo është një temë e përhershme në Bibël dhe në Kuran, vështirë se ka të ngjarë që ne të mund të gjenim një shkrim me një mori mospërputhjesh të cilin myslimanët pretendojnë se e kanë gjetur në Bibël. Çfarë duhet të bëjmë atëherë me mospërputhjet që myslimanët pretendojnë se janë aty?
Nga: “Mospërputhjet në Bibël”, Shtëpia Botuese Tenda