Revistat e Dëshmitarët e Jehovait, p.sh. Kulla e Rojës, herë pas here kanë artikuj që e përsërisin idenë se i vetmi emër që vlen të përdoret për Perëndinë është Jehova (kur në fakt nuk është kështu). Theksi i tyre gjatë gjithë kohës bie mbi emrin që përdoret (jo në karakterin e tij, jo në faktin se kush është Jehovai dhe nëse është e mundur që ai të njihet).
Kështu, për arsye të këmbënguljes së tyre të vazhdueshëm për emrin që duhet përdorur, ia vlen të bëjmë një studim të disa frazave që përdoren në librin e Veprave në lidhje me emrin e Jezusit. Ju lutem të vini re që në shembujt e mëposhtëm vargjet theksojnë jo thjesht vetë Jezusin por emrin e tij.
Ka shumë referime dhe do t’i japim ato me radhë:
Veprat 2:38 “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezus Krishtit për faljen e mëkateve…”
Veprat 3:6 “…por atë që kam po ta jap: në emër të Jezus Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!”
Veprat 4:7,10 “Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?… kjo u bë në emër të Jezus Krishtit Nazarenas…”
Veprat 4:12 “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”.
Veprat 4:17-18 “…t’i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër… u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezussit”.
Veprat 4:30 “…duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezussit”.
Veprat 5:28 “…a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër…”
Veprat 5:40 “…u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezussit…”
Veprat 8:12 “…kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezus Krishtit…”
Veprat 8:16 “…ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus”.
Veprat 9:14 “…për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd”.
Veprat 9:15 “…për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve…”
Veprat 9:21 “…përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër…?”
Veprat 9:27 “…si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezussit”.
Veprat 9:28 “…dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezuss”.
Veprat 10:43 “…kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij”.
Veprat 15:26 “…njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezus Krishtit”.
Veprat 16:18 “Pali…i tha [shpirtit]: Unë të urdhëroj në emër të Jezus Krishtit të dalësh prej saj”.
Veprat 19:5 “…u pagëzuan në emër të Zotit Jezuss”.
Veprat 19:13 “Disa yshtës…u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezuss…”
Veprat 19:17 “…emri i Zotit Jezuss ishte madhëruar”.
Veprat 21:13 “…unë jam gati…edhe për të vdekur…për emrin e Zotit Jezuss”.
Veprat 26:9 “…të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezussit Nazarenas”.
Qëllimi i këtij studimi të shkurtër në Veprat është ky: Në qoftë se Dëshmitarët e Jehovait e theksojnë kaq shumë faktin që emri i Perëndisë është Jehova, atëherë përse nuk i japin të njëjtin theks e rëndësi emrit të Jezusit që jepnin gjithë apostujt në vargjet e sipërpërmendura?
Kur lexojmë literaturat e Dëshmitarët e Jehovait shohim një disekuilibër të madh mes theksit që i vihet emrit të Perëndisë në Dhjatën e Vjetër, pra emrit Jehova, dhe mungesës së plotë të mësimeve që flasin për rëndësinë e emrit të Jezusit në Dhjatën e Re.
Vargjet e cituara më sipër nga libri i Veprave na tregojnë se jo vetëm Jezusi vetë është thelbësor për jetën, mësimet dhe veprimtarinë e Kishës së Dhjatës së Re, por edhe vetë emri i tij është i një rëndësie thelbësore. Në DhR-në ka një përqëndrim të madh mbi emrin e Jezusit.
Për këtë, vini re ç’na thonë vargjet e mësipërme: njerëzit pagëzoheshin në emrin e Jezusit; merrnin faljen për mëkatet e tyre nëpërmjet emrit të tij; ata predikonin e jepnin mësime në emrin e tij; shëroheshin me anë të fuqisë së emrit të tij; shpirtrat e këqija dëboheshin kur përdorej autoriteti i emrit të tij; njerëzit thërrisnin për ndihmë në emrin e Jezusit; lartësonin emrin e tij; ata ishin gati të rrezikonin jetën e të vdisnin për emrin e tij. Dhe së fundi, e ndoshta më e rëndësishmja, ishte ajo që na thuhet tek Veprat 4:12 se nuk ka asnjë emër tjetër me anë të të cilit mund të shpëtojmë. Është emri i Jezusit ai që na jep shpëtimin. Është e rëndësishme që çdo DJ të mendojë veçanërisht për rëndësinë e këtij vargu të fundit (Vep. 4:12) – prej këtij vargu varet edhe shpëtimi i tij!
Atëherë e nënvizojmë edhe një herë: emri, që merr shkallën më të lartë të theksimit prej shkruesve të DhR-së, vetë apostujve, është emri i Jezusit, i cili është shpëtimi ynë dhe në emër të të cilit do të përkulet çdo gju dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jezus Krishti është Zot, për lavdinë e Atit Perëndi. Është Jezusi Ai të cilit i është dhënë Emri mbi emrat (Fil. 2:9-11)!
Nga: “Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait” – Mike Brown