Bibla në përkthimin Bota e Re

Organizata e DJ-ve (Dëshmitarët e Jehovait), për të mësuar anëtarët e saj, ka nxjerrë një version të sajin të Biblës në anglisht. Ky version quhet përkthimi Bota e Re (BR). DJ-të thonë se versione të tjera të Biblës janë të gabuara dhe të pasakta, përmbajnë keqpërkthime, gabime etj. Ata thonë se versioni i tyre, BR-ja, është një version shumë më korrekt dhe është ai që ka autoritet përfundimtar për ta.

BR-ja u shtyp për herë të parë më 1950, në ShBA. Ky ishte një prodhim i punës së kryetarëve të organizatës së DJ-ve në Nju Jork. Qysh atëherë deri më sot ka pasur disa rishtypje të BR-së, secilën me ndryshime nga versioni i mëparshëm.

Gjëja e parë që bie menjëherë në sy si diçka e çuditshme është fakti se emrat e njerëzve të cilët “përkthyen” këtë version mbaheshin sekret ndaj publikut për shumë vjet dhe se gjithë përpjekjet për të zbuluar saktësisht se kush e kishte përkthyer atë dështonin. Vetëm këto vite të fundit është bërë e ditur se kush u përfshi në punën e përkthimit të BR-së. Organizata e DJ-ve i mbajti sekret për një kohë të gjatë emrat e tyre dhe refuzonte të tregonte se kush ishin ata. Kjo, pa dyshim, bëhej për t’i mbrojtur ata nga hetimet e ndryshme që mund të bëheshin mbi nivelin e diturisë së tyre dhe aftësisë së tyre për të përkthyer nga hebraishtja dhe greqishtja.

Dikush ka thënë: “A është e mundur t’i besosh një kirurgu apo një avokati në qoftë se ai refuzon të t’i tregojë emrin dhe kualifikimet e tij dhe në qoftë se nuk ke asnjë lloj dëshmie për aftësinë dhe zotësinë e tij?” Është e rëndësishme t’i njohim ata që na bëjnë shërbime, por është e një rëndësie më të madhe të njohim ata njerëz të cilëve ua besojmë jetën tonë shpirtërore. Kush ishin ata? Çfarë kualifikimi, aftësie dhe zotësie kishin?

DJ-të e zhgënjyen publikun në këtë pikë aq thelbësore. Ata refuzuan t’i jepnin emrat dhe kualifikimin e anëtarëve të komisionit për prodhimin e BR-së së tyre. Pse gjithë ky sekret i madh? A nuk kishin “përkthyesit” asnjë lloj kualifikimi? Dhe, në fakt, kjo ishte e vërteta! Siç e pamë edhe në kapitullin 1, katër njerëz u morën me përkthimin e BR-së dhe vetëm njëri prej tyre kishte një farë njohurie për gjuhët biblike.

Ndryshime të qëllimshme dhe keqpërkthime të teksteve tek BR-ja

Kur bëjmë një studim të përkthimit të BR-së, në krahasim me versionet e tjera të Biblës (d.m.th. ato që janë pranuar prej kishave të krishtere) dhe me origjinalin në greqisht (në rastin e DhR-së), shohim se, tek BR-ja, janë bërë ndryshime të caktuara e të qëllimshme të tekstit në mënyrë që t’u shkojnë për shtat doktrinave të DJ-ve, d.m.th. DJ-të kanë imponuar doktrinat e tyre në Bibël, në vend që të përkthenin atë që thotë faktikisht teksti greqisht. Më poshtë në këtë kapitull do të shqyrtojmë disa nga këto ndryshime të qëllimshme dhe keqpërkthime.

Gjoni 1:1

Ndoshta më i njohuri nga keqpërkthimet e qëllimshme në BR-në është përkthimi tek Gjoni 1:1. Në vend të përkthimit “Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (të cilën specialistët e pranojnë si përkthimin e vërtetë), ata bëjnë një ndryshim shumë të vogël por mjaft domethënës. Formulimi që ata i bëjnë këtij vargu në BR-në (përkthyer në shqip) është: “Në fillim Fjala ishte, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi”.

Ky ndryshim i vogël (shtimi i fjalëve një dhe perëndi në vend të fjalës Perëndi) përbën një përpjekje të madhe për t’ia zhveshur Jezus Krishtit të qenët Hyjni të tij. Jezusi bëhet kështu vetëm “një perëndi”. Duhet të shtojmë se specialistët kryesorë nuk e pranojnë këtë formulim të tillë të tekstit greqisht. Ata bien dakord për faktin që DJ-të janë në gabim këtu.

Sidoqoftë, ky keqpërkthim tek Gjoni 1:1 ngre një pyetje mjaft interesante. Në qoftë se Jezusi është një perëndi, atëherë çfarë do të thotë kjo? Çfarë është një perëndi? Ashtu siç pyesim edhe në kapitullin 4: Çfarë nënkuptojnë saktësisht DJ-të, kur e quajnë Jezusin një perëndi? A mund të na japin një shpjegim bindës për këtë? Sa Perëndi kanë dhe besojnë DJ-të? Në qoftë se ata e përkthejnë në këtë mënyrë, atëherë janë politeistë, besojnë në dy Perëndi. Ky keqpërkthim është thjesht një përpjekje e qëllimshme për t’i shtrembëruar Shkrimet, në mënyrë që ato t’u vijnë për shtat doktrinave të tyre. Ata thjesht nuk duan të besojnë se “Fjala ishte Perëndi” d.m.th. që Jezusi është Perëndi.

Është diçka interesante që e njëjta formë gramatikore e cila gjendet në origjinalin greqisht tek Gjoni 1:1 (d.m.th. që fjalës theos i mungon nyja shquese), përsëritet edhe tek vargjet 1:6,12,13. Megjithatë, në këto vargje, DJ-të, në BR-në e tyre, kanë përkthyer me fjalën Perëndi dhe jo me shprehjen një perëndi. Kjo përbën një kontradiktë. Ata përgjigjen e thonë se fjala në vargjet 6, 12 dhe 13 përdoret për Atin dhe jo për Birin dhe për këtë duhet të jetë Perëndi dhe jo një perëndi. Kjo thjesht na zbulon ndryshimin e qëllimshëm që është bërë në përkthimin e tyre. Ata nuk duan të pranojnë që Jezusi është Perëndi. Fakti që në vargun 1 fjalës theos i mungon nyja shquese nuk do të thotë që ajo nuk mund të përkthehet si Perëndi. Arsyeja pse i mungon nyja shquese është thjesht që në atë varg zbatohet një rregull e veçantë gramatikore të greqishtjes së vjetër.

DJ-të e bëjnë pyetjen: “Si ka mundësi që Fjala të jetë me Perëndinë dhe të jetë Perëndi në të njëjtën kohë?” Përgjigjja për këtë është kjo: “Ai që, prej natyre, është Perëndia, është, prej natyre, edhe Fjala; d.m.th. Jezusi ka natyrë hyjnore, ai shpreh se kush është Perëndia”. Kjo është një zbulesë e thellë, e lavdishme dhe madhështore. Perëndia është një Perëndi triun që na e ka zbuluar Vetveten në Personin e Zotit Jezus: “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne…” (Gjoni 1:14). Jezusi nuk është një qenie e krijuar; Ai ka ekzistuar nga gjithë përjetësia dhe nëpërmjet Tij ne mund të arrijmë ta njohim Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë!

Kolosianët 1:16-17

Në tekstin greqisht të këtyre vargjeve, fjala greke allos, për fjalën tjetër, nuk gjendet aspak. Sidoqoftë, në përkthimin e tyre për këto vargje, ata e kanë shtuar këtë fjalë jo më pak se katër herë! Kjo është një përpjekje për të bërë që të duket se Jezusi është një pjesë e Krijimit të Perëndisë, d.m.th. që ai është një qenie e krijuar dhe jo vetë Krijuesi i përjetshëm. Po e japim më poshtë versionin e tyre nga BR-ja, përkthyer në shqip, dhe vetë lexuesi do të kuptojë atë ndryshim të madh që sjell futja e kësaj fjale. Përemri vetor nënkupton natyrisht Jezusin:

“…sepse me anë të tij u krijuan të gjitha gjërat [e tjera] që janë në qiejt dhe mbi dhe, gjërat e dukshme dhe gjërat e padukshme; çfarëdo që të ishin – frone apo zotërime apo principata apo pushtete. Të gjitha gjërat [e tjera] janë krijuar nëpërmjet tij dhe për të. Gjithashtu, ai është përpara gjithë gjërave [të tjera] dhe me anë të tij të gjitha gjërat [e tjera] erdhën në ekzistencë…”

Gjoni 8:58

Në këtë varg Jezusi thotë: “Para se të lindte Abrahami, unë jam”. Çifutët e kuptuan menjëherë se çfarë po thoshte Jezusi dhe menjëherë morën gurë për ta vrarë meqë mendonin se blasfemoi. Sigurisht, këtu, ai e kishte fjalën për ekzistencën e tij të përjetshme. Ai nuk tha: “Para se të lindte Abrahami, unë isha”, apo: “Para se të lindte Abrahami, unë ekzistoja”, por “unë jam”. Fjalët greke për këtë janë ego eimi. Folja eimi është në mënyrën dëftore të kohës së tashme dhe mund të përkthehet vetëm unë jam.

Megjithatë, le të shohim se çfarë kanë bërë DJ-të me këtë varg! Në botimin e parë të BR-së, në vitin 1950, ata kanë dhënë përkthimin me fjalët “unë kam qenë” dhe e quajtën këtë “koha e kryer e pashquar”. Ky është një budallallëk, sepse nuk ekziston një kohë foljore e tillë. Kjo tregon thjesht injorancën e dalluar të përkthyesve të BR-së. Në botimin e mëvonshëm të BR-së, DJ-të e kishin kuptuar gabimin e tyre dhe e quajtën “mënyra dëftore e kohës së kryer”. Por përsëri, e kishin gabim. Ai njeri, që di sado pak nga greqishtja e DhR-së, e di se ego eimi është mënyra dëftore e kohës së tashme!

Shikojmë që edhe këtu ndodh e njëjta gjë – një përpjekje nga ana e përkthyesve për të imponuar doktrinën e tyre në Bibël. Në qoftë se kjo shprehje përkthehet “unë kam qenë”, atëherë Jezusit i zhvishet ekzistenca e tij e përjetshme, pra, të qenët Hyjni. “Unë jam” sugjeron të qenët Perëndi dhe ishte kjo ajo që po thoshte Jezusi. Ai po barazonte Veten me Perëndinë dhe pikërisht kështu e kuptuan drejt çifutët atë që po u thoshte Ai.

Nga: “Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait” – Mike Brown

Bookmark the permalink.