Në të gjitha faqet e Kuranit dëshmohet për vërtetësinë e Shkrimeve krishtere. Hebrenjtë dhe të krishterët përshkruhen në Kuran si “Ithtarët e Librit”. Shkrimi hebre është “Tevrati”; Shkrimi i të krishterëve është “Ingjili”. Kurani flet me nderim dhe respekt për Tevratin (DHIATA E VJETËR), Zeburin (PSALMET) dhe Ingjilin (UNGJILLI apo DHIATA E RE). Këto shkrime të shenjta e kanë statusin e Fjalës autentike të Perëndisë.
Ju lutem mos e besoni asnjërin që thotë se nuk duhet lexuar Biblën sepse është anuluar me ardhjen e Kuranit. Miku im i nderuar mysliman, nuk ekziston asnjë varg në Kuran që dëshmon se Bibla është bërë e pavlefshme me ardhjen e Kuranit. Për më tepër, nuk ekziston asnjë thënie autoritative në Hadithe që e përkrah këtë deklaratë. Vetë Kurani i urdhëron myslimanët ta shprehin besimin në Bibël. Ne lexojmë në S. 2:136: ” Ju thuani “Ne i besuam Allahut, atë që na është u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe pasardhësve, atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetë atij i jemi bindur.”
KEQKUPTIMI LIDHUR ME BIBLËN
Shumë myslimanë gabimisht mendojnë dhe mësojnë sikur Kurani erdhi për t’i zëvendësuar Shkrimet e shenjta hebreje krishtere (Bibla). Ekziston një keqkuptim se ajo është ndryshuar, vjetruar ose është humbur. Ekzistojnë shumë libra të krishterë që prezantojnë fakte vendimtare, duke provuar që Bibla (Dhiata e Vjetër dhe e Re) është komplete, autentike, dhe Fjalë e pandryshuar e Perëndisë. Me gjithë këtë, ndihem i detyruar që shkurt t’i adresoj këto thënie dhe t’iu siguroj me disa fakte që dëshmojnë se Bibla nuk është e ndryshuar.
Kurani i konfirmon Shkrimet e shenjta të mëparshme:
Shumë vjet para kohës së Muhamedit (350 vjet pas Krishtit) ekzistonte një kanon uniform i Biblës. Kurani nuk i akuzon të krishterët për ndryshimin e fjalëve të shkruara në Shkrimet e tyre të shenjta, në të kundërtën, Kurani deklaron se (Kurani) është shpallur për konfirmimin e Shkrimeve të mëparshme, e jo për t’i zëvendësuar ato. S. 5:48 thotë: “Ne edhe ty ta zbritëm librin (Kuranin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëhershëm dhe garantues i tyre…
Kurani dëshmon që Tevrati, Zeburi dhe Ingjili janë Fjalë të Zotit. Dëshmia e Kuranit nuk është e dyshimtë. S. 3:3-4 flet, “Ai ta zbret ty (Muhamed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshme. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Ingjilin, udhërrëfim për njerëz…”
Referencat e Kuranit lidhur me Tevratin:
Sa i përket Tevratit (Dhiata e Vjetër), ne lexojmë në S. 5:44: “Ne e zbritëm Tevratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan ndaj atyre që ishin jehudi, pejgamberët që ishin të bindur, gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare, ngase ishin të obliguar ta ruanin librin e Allahut dhe ishin mbrojtës të tij”. Në këtë varg “udhëzimi” i referohet udhëheqjes (drejtimit), dhe “dritë” i referohet një ndriçimi shpirtëror të siguruar nga Perëndia (Allahu). Vargje të tjera në Kuran që diskutojnë për Torën janë këto:
S. 2:87 thotë: “Ne i patëm dhënë Musait librin dhe pas tij patëm dërguar shumë pejgamberë …”
Ju lutem lexoni tek S. 4:58, S. 28:43, S. 32:23, S. 40:53-54, dhe S. 45:16.
Referencat e Kuranit ndaj Zeburit dhe Ingjilit:
Për Zeburin (Psalmet), Kurani flet në S. 21:105, “Ne kemi shënuar në Zebur…”
Lidhur me Ingjilin (Ungjillin), Kurani deklaron në S. 5:46 që Krishti e konfirmon Torën si të vërtetë dhe që Ungjilli i Krishtit përmban udhëheqje, dritë dhe këshillime. Ajo thotë: ” Ne vazhduam gjurmët e tyre (të pejgamberëve) me Isain, birin e Merjemës, vërtetues i Tevratit që kishin më parë. Atij i dhamë Ingjilin, që është udhëzim i drejtë dhe dritë, që është vërtetues i Tevratit që kishin pranë, që ishte udhëzues e këshillues për të devotshmit.”
Ju lutem gjithashtu lexoni S. 57:27.
Rëndësia e leximit të Ungjillit:
Lexues i nderuar mysliman, për ta përjetuar një marrëdhënie të drejtë dhe të plotë me Perëndinë, ti duhesh ta lexosh Ungjillin (Dhiatën e Re). Kjo do ta zmadhojë kuptimin tuaj për Isanë, Mesinë (Jezus Krishtin). Do të të ndihmojë gjithashtu për ta kuptuar Shpëtimin që Ai dëshiron ta shijosh përmes besimit në Të.
Mos i besoni ata që ju thonë se është e panevojshme për ta lexuar Biblën. Opinioni i tyre është në kundërshtim vetë Kuranin. Kurani deklaron qartë se të gjithë myslimanët duhet t’i ndjekin dhe t’u binden Shkrimeve të mëparshme të Shenjta (Bibël). Suret e mëposhtme janë të qarta në këtë aspekt:
S. 2:136 thotë: “Ju thuani “Ne i besuam Allahut, atë që na është u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe pasaardhësve, atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetë atij i jemi bindur ”
S. 2:285: “I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij dhe thanë: “Iu përgjegjëm thirrjes (dhe respektuam urdhërin)”
S. 4:136 ” O ju që besuat, besoni vazhdimisht Allahun, të dërguarit e Tij, librit që gradualisht ia shpalli të dërguarit të Tij dhe librit që e patë zbritur më parë. Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.”
Sipas Kuranit të gjitha Shkrimet e Shenjta janë të barabarta:
Në S. 2:285 dhe 4:136 të cituara më lartë, vëreni që “Librat e Tij” është në shumës. Kjo nënkupton jo vetëm Kuranin, por edhe Shkrimet e tjera të Shenjta. Në S. 2:136, ju lutem dalloni frazën e rëndësishme, “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre”. Kjo është një urdhër i qartë që të gjithë myslimanët duhet t’i konsiderojnë të gjitha Shkrimet e Shenjta si zbulime të barabarta.
Siç lexojmë në S. 4:136 të lartëpërmendur, në qoftë se ndonjë mysliman injoron apo mohon ndonjë pjesë të shpalljeve të Perëndisë, ai ka “shkuar larg së vërtetës”. Gjithashtu, Perëndia do ta dënonte si të pabesë, ashtu siç lexojmë në S. 40:70-72: “Ata janë që përgënjështruan librin dhe atë me çka Ne i dërguam të dërguarit tanë, e më vonë ata do të kuptojnë. Atyre do t’u vihen prangat dhe zingjirët në qafat e tyre e do të zhyten në ujin e valë dhe pastaj do të digjen në zjarr.”
Kurani gjithashtu thekson atë çfarë hebrenjtë dhe të krishterët, që jetuan në kohën e Muhamedit, menduan për Kuranin. Mund të lexoni për këtë në S. 2:91: ” Dhe kur atyre u thuhet “Besoni atë që e shpalli Allahu”, ata thonë: “Ne besojmë atë që na u shpall neve”, kurse e mohojnë atë pas tij, edhe pse është vërtetues i atij, që e kanë ata dhe është i vërtetë ”
Kurani e konsideron Biblën të jetë e dalluar:
S. 10:94 është një urdhër i dhënë Muhamedit (dhe myslimanëve) ta konsiderojnë Biblën si burim primar të ndriqimit: “Po, nëse je në dyshim për këtë që të zbritëm ty, atëherë pyeti ata që lexojnë librin para teje”. Ky varg shumë qartë i udhëzon besimtarët myslimanë t’i referohen Biblës kur ngriten pyetje lidhur me kuptimin e Kuranit. Është e qartë nga ky varg, se në rast të çdo dyshimi për zbulime të caktuara në Kuran, Muhamedit i urdhërohet nga Perëndia të konsultohet me hebrenjtë dhe të krishterët që i lexonin Shkrimet e tyre të Shenjta. Ashtu që S. 10:94, është një urdhër për Muhamedin për të testuar besueshmërinë e mesazhit të tij nga përmbajtja e Shkrimeve të Shenjta të hebrenjve dhe të krishterëve.
Miku im i nderuar, Kurani nuk pohon që Perëndia e dërgoi (Kuranin) për ta parandaluar korruptimin, ose ndryshimin apo zëvendësimin e Fjalës së Shenjtë të Perëndisë që gjendet në tërë Biblën (Tevrat dhe në Ingjil). Në të kundërtën të gjitha vargjet e cituara më herët, e konfirmojnë autencitetin biblik.
Kurani pranon që judenjtë e posedojnë Fjalën e Perëndisë:
Ekzistojnë edhe shumë vargje në Kuran që dëshmojnë se Tora ishte në dispozicion në një formë të pafalsifikuar gjatë kohës së Muhamedit. Për shembull, një konflikt ishte ngritur në mes të hebrenjve në Medina, dhe i kishte ardhur në vëmendje të Muhamedit. Kurani i drejtohet Muhamedit: “E si kërkojnë ata gjykimin tënd, kur ata kanë Tevratin, në të cilin është vendimi i Allahut …”(S. 5:43). Merrni në konsideratë gjithashtu, S. 2:101 që deklaron: “E kur u erdhi atyre ndonjë i dërguar prej Allahut, vërtetues i asaj që e kishin ata…”. Këto vargje mësojnë qartë se hebrenjtë e Medinës e kishin Torën e vërtetë (Dhiatën e Vjetër) në posedim në kohën e Muhamedit dhe ishte e besueshme për t’i zgjidhur konfliktet e tyre.
Keni parasysh që gjatë gjithë historisë së tyre, hebrenjtë i kanë njohur vetëm Shkrimet në Librat e Dhiatës së Vjetër, sikurse i njohim ne sot. Kurani kurrë nuk deklaroi që Tora ishte një libër i ndryshëm nga Ai që vetë hebrenjtë e pranuan si Torë
Kurani pranon që të krishterët e posedojnë Fjalën e Perëndisë:
Kurani gjithashtu e konfirmon autencitetin Biblik në lidhje me Dhiatën e Re. S. 5:47 flet “Që ithtarët e Ingjilit të gjykojnë sipas asaj që Allahu e zbriti. E kush nuk gjykon sipas asaj që Allahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit”. Si pritet që të krishterët të gjykojnë me Ingjil përveç nëse e kishin në posedim? Bota e krishterë e ka njohur vetëm një Ingjil, që ekzistonte shekuj më parë para kohës së Muhamedit dhe vazhdon të ekzistojë deri sot. Kurani kurrë nuk deklaroi që Ungjilli ishte një libër i ndryshëm pres asaj që të krishterët e shfrytëzonin në kohën e Muhamedit. Dhe Kurani kurrë nuk i akuzoi hebrenjtë dhe të krishterët për ndryshim të tekstit aktual të dorëshkrimeve biblike.
Referenca plotësuese për Torën dhe Ungjillin:
Kurani e konfirmon përkrahjen ndaj Torës dhe Ungjillit dhe i nxitë hebrenjtë dhe të krishterët ta njohin autoritetin e Shkrimit të tyre të Shenjtë (Biblën). Thuhet në S. 5:68: “Thuaj: “O ithtarë të librit, ju nuk jeni asgjë derisa të mos zbatoni Tevratin, Ingjilin dhe atë që ju zbriti nga Zoti juaj…”
Kjo S. është shembull i qartë për të dëshmuar se hebrenjtë dhe të krishterët e kishin Fjalën e Zotit (Tevratin dhe Ingjilin) para shkruarjes së Kuranit.
Pasi që hebrenjve dhe të krishterëve iu kërkohet t’i observojnë urdhërat që ekzistojnë në Shkrimet e tyre, në qoftë se Libri i tyre kishte humbur, do të ishte e pamundur për ta për t’i njohur urdhërimet që duhet t’i zbatonin. Apo në qoftë se Bibla ishte ndryshuar më herët, ata do të shkonin larg rrugës së drejtë në qoftë se do t’i zbatonin.
Nuk ka indikacione para se gjithash në Kuran që Muhamedi të ketë menduar për Shkrimet e Shenjta të cilët hebrenjtë dhe të krishterët i kishin në posedim, ishin diçka tjetër nga Librat e shenjtë origjinale që Perëndia iu kishte zbritur atyre.
Kurani në S. 5:47 e shfrytëzon termin “Ingjil” (Ungjill), e është i njëjti term që ndjekësit e Jezusit e shfrytëzuan. Ju lutem referohuni tek Marku 1:1 “Fillimi i Ungjillit të Jezus Krishtit … ” Në fakt, arabët e krishterë ende e përdorin fjalën arabe “Ingjil.”
Dijetarët e hershëm myslimanë e përkrahën integritetin e Biblës:
Me qindra vjet pas vdekjes së Muhamedit, shumë prej dijetarëve të mirënjohur myslimanë e mbrojtën integritetin e Biblës. Atë Tabari ishte një ish krishterë, jeta e të cilit karakterizohet me mbrojtjen e islamit para hebrenjve dhe të krishterëve përderisa ai ishte në Bagdad (kryeqytet i botës muslimane në kohën e tij). Ai shkroi nën drejtimin e sundimit të Kalifit Abasid Mutauakil (846-861 pas Krishtit). Në asnjë moment nuk i akuzoi hebrenjtë apo të krishterët me korruptimin e Shkrimeve të tyre. Ai njohu që Tora dhe Ungjilli autentik ngeli në duart e hebrenjve dhe të krishterëve. Ai shkroi një libër të famshëm, të quajtur “Libri mbi religjionin dhe perandorinë”, në të cilin ai tha: “Për sa i përket Ungjillit që është në duart e të krishterëve, pjesa më madhështore e saj është historia e Krishtit, lindja dhe vdekja e Tij.”
Një dijetar tjetër, Al Gazali (1058-1111 pas Krishtit), ishte konsideruar njëri prej teologëve më të mëdhenj myslimanë në historinë e islamit. Në shkrimet e tij kurrë nuk e sfidoi integritetin e Biblës. Përveç kësaj ai shkroi traktate mbi Trinitetin, në të cilat ai citoi shumë vargje prej Biblës, pa dyshuar besueshmërinë e tekstit.
Nga: “Perëndia të do miku im mysliman” – Samy Tanagho