A është Shkrimi i dobishëm apo jo?

A është tërë shkrimi i dobishëm (2Timoteu 3:16) apo nuk është i dobishëm (Hebrenjëve 7:18)?

(Kategoria: Është keqkuptuar se si Perëndia punon në histori)

Akuza është se Bibla thotë që i tërë shkrimi është i dobishëm dhe që gjithashtu deklaron që urdhërimi i mëparshëm është i dobët dhe i padobishëm, dhe këtu pra ndodhet mospërputhja. Ky është një problem kontekstual dhe ngrihet përmes injorimit të asaj që Perëndia kishte premtuar për të bërë përmes profetëve, në lidhje me dy besëlidhjet që ai i themeloi. Për shkak të vendit kjo çështje e mrekullueshme nuk mund të shikohet në thellësi këtu. Megjithatë, duhet të japim disa informacione nga sfondi në mënyrë që lexuesi, i cili nuk e njeh Biblën, të mund të kuptojë çfarë jemi duke thënë këtu. Për shkak të ilustrimit unë do të bëj një krahasim nga pyetja nr. 92 që flet për pasurinë prapa shumë fjalëve hebraike që përdoren në Bibël; në rastin e veçantë kemi të bëjmë me interpretimin e fjalës ‘niham’ si ndryshim i mendjes, pendim ose të brengosesh (drejtoju pyetjes në fjalë për kuptimin e plotë të kontekstit).

Është e qartë që fjala e Perëndisë rrjedh nga vet ai, dhe vërtet është e dobishme për mësim, qortim, korrigjim, dhe mësim, siç thotë edhe 2 Timoteu. Ky është një pohim i përgjithshëm që i drejtohet gjithçkaje që vjen nga Perëndia. Hebrenjëve kapitulli 7 flet për një urdhërim të veçantë që i është dhënë një populli të veçantë në një kohë të veçantë; pra për sistemin e flijimeve në Tabernakull dhe më vonë në Tempullin e Jerusalemit. Perëndia themeloi një sistem në besëlidhjen e tij me popullin e tij të Izraelit, ku ata do të ofronin flijime, kafshë për t’u therur, që Perëndia t’ju falte atyre mëkatet; veçanërisht atë që Perëndia e quan tek Levitiku kapitulli 4 dhe 6, “flijim për mëkatin” dhe “flijim për mëkate të kryera nga padituria”. Koncepti i vdekjes zëvendësuese është i huaj për islamin, por është fundamental për judaizmin dhe krishterimin. Shlyerja duhet të bëhet për mëkatin. Paga e mëkatit është vdekja, dhe dikush duhet ta paguajë këtë çmim. Nuk ka falje të mëkatit pa derdhje të gjakut, sepse Perëndia kërkon drejtësi. Ai nuk mundet thjesht ta injorojë këtë gjë sepse kjo nuk do të ishte e drejtë. Perëndia me të vërtetë e themeloi këtë sistem të shlyerjes ashtu siç e tregon Dhiata e Vjetër duke ju drejtuar 79 herë nevojës për shlyerje! Mirëpo, ajo gjithashtu regjistron Perëndinë duke thënë “Ja do të vijnë ditët, thotë Zoti, në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës, jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit “[ pra te Mali Sinai ku Ai ia dha popullit të Izraelit besëlidhjen e parë pasi që i shpëtoi nga Egjipti] (Jeremia 31:31-33). Arsyeja përse Perëndia e jep këtë është sepse populi nuk qëndroi besnik ndaj besëlidhjes së vjetër. Prandaj besëlidhja e re do të jetë ndryshe, siç thotë edhe vet Perëndia, ”Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre” (v. 33). Ai thotë që kjo besëlidhja e re do të kërkojë një herë e mirë një pagesë për mëkatet e tyre, ndryshe nga besëlidhja e mëparshme (Jeremia 31:34, Danieli 9:24-25). Perëndia gjithashtu flet tek Dhiata e Vjetër për Mesinë që do ta realizojë këtë. Një Mesi që nuk do të vijë nga priftëria levitike, por do të jetë një njeri i përsosur nga fisi i judës dhe që do jetë një prift i Perëndisë. Ai, Mesia do të ishte flijimi që do të paguante për të gjitha mëkatet njëherësh, dhe do t’i afrohej Perëndisë jo për shkak të vlerës së prejardhjes së tij (siç ishte tek priftërinjtë levitë), por për shkak të vlerës së tij, duke qenë sikur Perëndia, i përsosur. Nëse njerëzit ndjekin këtë Mesi dhe pranojnë pagesën e tij të dënimit për mëkatet e tyre, atëherë Perëndia do ta shkruaj ligjin e tij në mendjet dhe zemrat e tyre, dhe Perëndia mund të jetë i mëshirshëm ndaj atyre pasi që drejtësia e tij është plotësuar. Atëherë ata mund t’i afrohen Perëndisë, pasi që Perëndia dëshiron të jetë në marrëdhënie me krijesën e tij (Zanafilla 3:8-11) dhe është vetëm mëkati që e ndalon këtë gjë. Me siguri ky shpjegim është goxha i ndërlikuar dhe vetëm një lexim i plotë i Dhiatës së Vjetër do ta shpjegonte këtë në mënyrë adekuate. I tërë shkrimi është i dobishëm, duke përfshirë edhe sistemin e flijimeve. Mirëpo, Perëndia ka premtuar në Bibël që do ta bënte një besëlidhje të re me popullin e tij. Në këtë besëlidhje sistemi origjinal është zëvendësuar me flijimin e përsosur të Mesisë, Jezusit. Shumë shkrime e përshkruajnë këtë Mesi që do të sillte këtë besëlidhje të re. Në të Perëndia “e bënë jetën e tij një flijim për mëkatin” dhe neve na është thënë që “megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona, ai ishte tejshpuar për shkak të shkeljeve tona dhe u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen [me Perëndinë] ishte mbi të.” Shiko kapitullin 53 tek Isaia. Ti mund ta paguash dënimin për mëkatet e tua nëse dëshiron – por do të kushtojë me jetën tënde në përjetësi. Ti do të vdesësh për mëkatet e tua dhe do të shkosh në ferr. Ose, për shkak të dashurisë së Perëndisë, Mesia mund të paguajë këtë dënim për ty, dhe të “tejshpohet” në vendin tënd, gjë që do të të sjellë paqe me Perëndinë. Atëherë Perëndia do të të lejojë të hysh në parajsë në përjetësi pasi që drejtësia e tij është plotësuar. Ashtu si tha Gjon Pagëzori kur e pa Jezusin: ”Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” Ai gjithashtu ka thënë: ”Kush beson në Birin [Jezusin] ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.” Gjoni 1:29;3:36. Perëndia na mëson që ai do ta bëjë këtë. Kjo është përmbushur në vdekjen dhe ringjalljen e Mesisë, Jezusit, ME PËRPIKMËRI siç ishte thënë në Dhiatën e Vjetër që do të ndodhte, dhe kështu u themelua besëlidhja e re. Mëkati u pagua një herë e mirë nga “Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës” ashtu siç e shpalli Gjon Pagëzori kur pa Jezusin (shiko nr. 34 dhe nr. 44). Ai është ai që Perëndia kishte premtuar. Pra, përmes vdekjes së tij sistemi i flijimeve, duke ofruar kafshë pa pushim, u bë i panevojshëm. Alternativa e Perëndisë, që është pafundësisht më e mirë dhe gjithpërfshirëse, dhe është nga vet Perëndia, e bëri sistemin e mëparshëm të padobishëm. (Hebrenjve 8:7-13).

Prandaj, ashtu si shpjegimi nr. 92, Perëndia nuk e ndërroi mendjen për planin e tij, për t’ju bërë të mundshme njerëzve që të jenë në rregull me të. Perëndia nuk është njeri që ta ndërrojë mendjen e tij. Gjatë tërë kohës ky ishte qëllimi dhe plani i tij, që ta sillte këtë besëlidhje të re si përmbushje të asaj të vjetrës, siç tregon edhe Dhiata e Vjetër. Këtu duhet të merremi edhe me një pikë tjetër. Këto ligje ceremoniale kërkoheshin vetëm nga izraelitët, pasi që ata ishin ata të cilët funksiononin përbrenda marrëveshjes, urdhëresave dhe dekreteve të besëlidhjes së vjetër. Secili johebre apo, i cili dëshironte të kthehej në judaizëm, ishte i obliguar gjithashtu që t’i përmbahej këtyre urdhëresave të besëlidhjes. Por të krishterët nuk janë të kthyerit në judaizëm. Ata janë besimtarët e Jezusit, Mesisë, Shpëtimtarit. Ata ecin brenda kontekstit të “besëlidhjes së re,” ajo që është themeluar në gjakun e Jezusit më anë të flijimit shlyes, dhe jo në besëlidhjen e vjetër që Perëndia e bëri me Izraelin në Sinai. Brenda kësaj besëlidhjeje të re, të krishterët gjithashtu kanë urdhërime, dhe në një mënyrë apo tjetër ato të gjitha kanë të bëjnë me atë që është shkruar në Dhiatën e Vjetër, por tani janë plotësisht në një kontekst tjetër, pra në atë të përmbushjes. Pra, ekziston një linjë e qartë e vazhdimësisë, e zbulesës dhe ripërtrirjes midis dy besëlidhjeve, të resë dhe të vjetrës – sepse si Izraeli ashtu edhe krishterimi e kanë Mesinë të përpashkët, dhe ishin shkrimet hebraike të cilat ai i përmbushi. Prandaj të gjitha këto Shkrime janë të dobishme për t’u studiuar, për të ditur nga vijmë, dhe ku po shkojmë. Por jo secili urdhërim, ligj apo dekret në Dhiatën e Vjetër aplikohet nga të krishterët në të njëjtë mënyrë siç ka qenë (është) aplikuar nga Izraeli. Edhe pse kemi kemi shumë gjëra të përbashkëta, ne kemi besëlidhje të veçanta, një besëlidhje të re, për të cilën hebrenjtë duhet të lexojnë dhe ta pranojnë, pasi që ajo përmbush tërë atë që ata janë duke e pritur dhe për të cilën vazhdojnë të shpresojnë. Shënim: Një krahasim me këtë, edhe pse i papërsosur, mund ta bëjmë për myslimanët nga Kurani. Sureja 3:49-50 Jezusi vjen dhe i thotë popullit të Izraelit “Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve,” apo “ta bëj hallall atë që ka qenë haram”. Sipas kësaj ai kishte ardhur që të vërtetojë ligjin që Perëndia ju kishte dhënë atyre, por i bëri disa gjëra të lejueshme për ata, të cilat Perëndia i kishte ndaluar më parë. Kjo nuk është e vërtetë sipas Biblës në kontekstin e kësaj “mospërputhjeje” dhe nuk mund të thuhet një gjë e tillë për judaizmin dhe krishterimin. Kjo ishte thjesht një krahasim për të treguar se edhe Kurani dëshmon gjithashtu për gjëra të tilla.

Nga: “Mospërputhjet në Bibël”, Shtëpia Botuese Tenda

Bookmark the permalink.