Profecitë false të DJ-ve

Është një fakt trishtues që shumica e DJ-ve mbeten duke mos e njohur historinë e sektit të vet. Kur pyeten për historinë e sektit, ata dinë shumë pak ose aspak, dinë vetëm ç’u kanë thënë udhëheqësit e tyre dhe emrat e udhëheqësve të hershëm, si p.sh. Rasëlli dhe Radhërfordi. Ata bile as që nxiten nga drejtuesit e tyre për t’i shqyrtuar këto gjëra.

Kur studjojmë objektivisht historinë e sektit të DJ-ve, siç e pamë edhe në kapitullin 1, shohim se udhëheqësit e sektit në raste të ndryshme bënë profeci të rreme për Ardhjen e Dytë të Krishtit, Armagedonin si dhe për gjëra të tjera. Sa keq që DJ-të e zakonshëm nuk dinë asgjë për këto profeci false bërë prej udhëheqësve të tyre. Ato mbulohen sikur të mos kenë ndodhur fare dhe sikur të mos jenë të rëndësishme. Dhe kjo, pavarësisht nga fakti që mijëra DJ-ë i besuan këto profeci në ato kohë dhe pastaj pësuan zhgënjimin. Dhe për ata DJ-ë që e kuptuan se profecitë ishin false, nuk mbetet vetëm të pyesësh se si mund të qëndronin akoma në këtë sekt kur e dinin se ishin mashtruar.

Interpretim dhe ekzegjezë (shpjegim) false

Çështja e interpretimit biblik është shumë e rëndësishme. Nganjëherë është shumë kollaj që në Bibël të gjejmë një bazë për të mbështetur një mësim tonin thjesht duke marrë një varg të shkëputur nga konteksti dhe duke e lidhur atë me një varg tjetër marrë nga një pjesë tjetër e Biblës, edhe ky i shkëputur prej kontekstit në të cilin është përdorur, dhe, duke i bashkuar të dyja këto pasazhe mund të krijojmë një doktrinë të re që nuk ka të bëjë fare me vargjet që kemi përdorur, të marra siç janë në kontekstet e duhura. Ashtu siç ka thënë dikush: “Është shumë e lehtë ta bësh Biblën të thotë çfarëdo që ne duam që ajo të thotë”.

Ky është problemi që kanë DJ-të. Ata mbështetin kaq shumë nga mësimet e tyre në vargje të shkëputura të Biblës, vargje të nxjerra jashtë kontekstit e situatës në të cilën janë përdorur në Bibël. Dhe vërtet, dikush ka llogaritur se gjithsej DJ-të, në botimet e tyre, citojnë vetëm 6.5% të vargjeve të Biblës! Por për njeriun që ka pak apo aspak njohuri për Biblën, argumentimet e DJ-ve mund të duken kaq bindëse pasi ata citojnë “kaq shumë” nga Bibla.
Një nga librat e tyre më të preferuar është libri i Danielit, një tjetër është ai i Zbulesës. Ashtu si kemi thënë edhe në një kapitull tjetër, ata harxhojnë kaq e kaq shumë kohë duke folur vetëm për ngjarjet eskatologjike d.m.th. për ato që kanë të bëjnë me Ardhjen e Dytë të Krishtit dhe për ato ngjarje që lidhen me të si beteja e Armagedonit dhe Mijëvjeçari. Ata u kushtohen kaq shumë këtyre pasazheve e këtyre profecive dhe herë pas here përpiqen t’i interpretojnë në një mënyrë të tillë që të zbulojnë e të dinë se kur do të vijë përsëri Krishti.

Kur flet me DJ-të, habitesh kur sheh se sa shpesh ata u referohen këtyre librave të Biblës dhe të bën shumë përshtypje filli i tyre i interpretimit, pothuaj si një labirint i ngatërruar. Është një lëmsh! Dhe vërtet, janë të gabuara pikat nga nisin disa nga argumentimet që çojnë në idetë e tyre. Për shembull, disa nga parashikimet e tyre bazohen në faktin se ata thonë që tempulli çifut në Jeruzalem u shkatërrua prej babilonasve në vitin 607 P.K. (shih librin e tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, botim i vitit 1993, faqe 139), kur në fakt nuk është kështu. Megjithëse Jeruzalemi u sulmua në vitin 607 P.K., tempulli nuk u shkatërrua deri në vitin 587 P.K., pra 20 vjet më vonë. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur dëgjojmë argumentimet e tyre – ato mund të tingëllojnë bindëse për njeriun që nuk e njeh Biblën, por në fakt ato mund edhe të mos bazohen në asnjë fakt historik!

Disa shembuj profecish të rreme prej tyre

Në kapitullin 1, mbi historinë e DJ-ve, përmendëm disa nga profecitë false bërë nga udhëheqësit e sektit të DJ-ve gjatë historisë së tyre. Ndoshta më i njohuri nga parashikimet e rreme të sektit të DJ-ve, bërë nga Rasëlli, është ai që thotë se Armagedoni do të ndodhte në vitin 1914 dhe se Krishti do të kthehej atëherë. Kjo do të ishte, sipas tyre, fillimi i futjes së Mbretërise së Perëndisë mbi Tokë. Edhe pse më vonë e pranuan që parashikimet e tyre nuk iu dolën, ata akoma thonë se në 1914-ën filloi Parousia (Ardhja apo Prezenca) e Dytë e Krishtit. Në librin e tyre Lajmi i mirë i cili na bën të lumtur, botuar në Beograd më 1983, ata thonë: “…Jehova më 1914 e ka marrë pushtetin dhe përmes mbretërisë së Krishtit ka filluar të mbretërojë mbi Tokë”, dhe “…Dëshmitarët e Jehovës nga 1914-ta në mbarë Tokën kanë lajmëruar se mbretëria e Krishtit është e pranishme” (faqet 162, 163).

Ata thonë se Ardhja e Dytë e Krishtit do të jetë e padukshme: “ai vjen…dhe prandaj është i padukshëm…”, “kthimi i tij do të ishte i padukshëm” dhe “Kthimi i Krishtit është i padukshëm” (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, fq. 143, 146, 147). DJ-të kanë një pikëpamje të gabuar për Ardhjen e Dytë të Krishtit. Bibla na mëson qartë se Ardhja e tij do të jetë e dukshme (shih më poshtë).

Një profeci tjetër e tyre false, e cila njihet mirë, është ajo që u bë nga Radhërfordi në fillimet e shekullit të 20-të. Ajo kishte të bënte me atë që Mbretëria e Krishtit do të vendosej në Tokë më 1925 dhe se disa patriarkë të DhV-së (Abrahami, Isaku, Jakobi dhe të tjerë) do të ringjalleshin në këtë kohë për t’u bërë udhëhëqësit e Mbretërisë. Kur data e supozuar prej tij për Ardhjen dhe ringjalljen erdhi e iku dhe kur nuk u pa të ndodhte ndonjë nga këto gjëra, këta zëra heshtën dhe çdo gjë u mbulua. Radhërfordi arriti deri atje sa të ndërtonte në San Diego të Kalifornisë një shtëpi të veçantë që e quajti Beth Sarim, shtëpi në të cilën ata do të banonin. Por, së fundi, kur ata nuk u shfaqën, vetë Radhërfordi shkoi të banonte në shtëpinë e veçantë që kishte ndërtuar dhe e përdori atë si të tijën!

Profecia më e fundit false e një natyre të tillë madhore, që u bë prej sektit të DJ-ve, kishte të bënte me mësimin se Armagedoni dhe fillimi i Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit do të ndodhte në vitin 1975. Kjo është një profeci që flet për një kohë kaq të vonë sa DJ-të natyrisht që duhet të dinë diçka rreth saj. Ndoshta mund ta kuptojmë që DJ-të mund të mos dinë për profecitë false të Rasëllit në shekullin e 19-të, por nuk ka arsye pse ata të mos dinë rreth profecisë për 1975-ën, sidomos nëse kanë qenë DJ-ë në atë kohë. Por, kur flet me DJ-të, zbulon se shumë pak prej tyre dinë për ato që u thanë prej sektit të tyre në atë kohë. Gjithçka është mbuluar në një mënyrë të tillë që ata të mos dinë e mos zbulojnë gjë.

Fjalët e qarta të Shkrimeve

Në mësimin eskatologjik të tij të cilin e dha javën para Kryqëzimit, Jezusi e bëri më se të qartë se ASKUSH nuk do ta dijë kohën e Ardhjes së tij të Dytë. Lexo se ç’thotë Ai te Mateu 24:36: “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im”. Asgjë nuk mund të jetë më e qartë se kjo! Kjo është një deklaratë e pastër dhe e qartë që bëhet lidhur me këtë çështje. Lexo edhe te Veprat 1:7: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet”.

Apostull Gjoni, tek Zbulesa 1:7, bën një deklaratë tjetër të qartë d.m.th. që Ardhja e Dytë e Krishtit do të jetë diçka E DUKSHME, e parë nga të gjithë, çdo sy do ta shohë Atë. Ajo nuk do të jetë diçka e fshehtë apo e padukshme, por do të shihet qartë prej të gjithëve. Gjithashtu, te Mateu 24:30 Jezusi tha se shenja e Birit të Njeriut do të shfaqet në qiell dhe se gjithë kombet do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur.

Cili duhet të jetë qëndrimi ynë?

Në gjithë këtë çështje të eskatologjisë dhe profecisë do t’u rekomandonim besimtarëve të mbanin të njëjtin qëndrim që edhe vetë apostull Pjetri mbajti në lidhje me shkrimet e Palit: “…sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre” (2 Pjetri 3:15-16).

Madje edhe i madhi apostull Pjetër pa se kishte gjëra në Bibël që ishin të vështira për t’u kuptuar. Ai nuk pretendoi se dinte dhe kuptonte gjithçka edhe pse ishte apostull. Ai e pranoi se Fjala e Perëndisë ishte më e madhe se ai vetë! Nevojitet që edhe ne të kemi të njëjtin qëndrim. Gjithmonë do të ketë gjëra që nuk do t’i kuptojmë në Fjalën e Perëndisë. Askush prej nesh nuk ka arritur deri atje sa të ketë kuptuar gjithçka. Nevojitet të kemi një qëndrim të përulur. Në qoftë se mendojmë se i kemi gjetur dhe i dimë gjithë përgjigjet, në realitet tregojmë vetëm arrogancën tonë dhe faktin se sa injorantë jemi në të vërtetë! Dhe këtë lloj njerëzish na e përshkruan edhe Pjetri – ata i shtrembërojnë Shkrimet, për përhumbjen e tyre!

Profetët e rremë në DhV-në

Nuk është diçka e lehtë të profetizosh. Kjo është diçka që udhëheqësit e DJ-ve duket se e kanë harruar. Të jesh profet dhe zëdhënës i Perëndisë është një përgjegjësi tepër e madhe. Vërtet, në kohën e DhV-së, nëse një person bënte një profeci të rreme kjo nuk përbënte diçka për të cilën njerëzit mund të mblidhnin supet dhe ta trajtonin si të mos kishte aspak rëndësi. Përkundrazi, ishte gjë shumë e madhe. Dhe vërtet, dënimi për profetin e rremë nuk ishte asgjë më pak se vdekja (LiP. 18:20).

Megjithëse dënimi i tyre me vdekje nuk i përket epokës së sotme të Ungjillit, parimi mbetet. Ai na tregon se çfarë mendon Perëndia për profetët e rremë të cilët, duke pretenduar se u flasin njerëzve për Perëndinë, i çojnë ata në rrugë të gabuar. Prandaj kjo duhet të na bëjë të jemi të kthjellët dhe të peshojmë me kujdes gjithçka që thuhet në emër të Perëndisë, veçanërisht ato që thuhen në fushën e profecisë. Kjo nuk është diçka e lehtë!

Fakti që në historinë e sektit të tyre janë bërë kaq shumë profeci të rreme (kur Fjala e Perëndisë na jep deklarata mjaft të qarta për të kundërshtuar profecitë e tyre, apo për të na treguar se parashikimi i datave për gjëra të caktuara është i kotë dhe i padobishëm sepse datat nuk mund të dihen) na tregon se udhëheqësit e DJ-ve nuk kanë ndier fare asnjë lloj përgjegjësie, qoftë ndaj Perëndisë, qoftë ndaj njerëzve në sektin e tyre. Ata kanë zhgënjyer shumë njerëz! Dhe fakti që, ndërsa parashikimet e mëparshme nuk u janë përmbushur, ata kanë vazhduar me profecitë e tyre të rreme, në vend që të pranonin se e kishin gabim, të pendoheshin dhe të mos pranonin të bënin gjëra të tilla përsëri, tregon për një qëndrim të vullnetshëm dhe të qëllimshëm mashtrimi dhe vetëmashtrimi nga ana e udhëheqësve.

Nga: “Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait” – Mike Brown

Bookmark the permalink.