Përse nuk ndërhyn Perëndia?
Në botë ndodhin gjëra të llahtarshme.
Një ditë, aty nga viti 1937, po ecja nëpër rrugët e Essenit, kur një djalë rreth të 16-ave, më del përballë. Dukej krejtësisht i sfilitur. Kishte një çehre të vrazhdë dhe lot në sy.
– Çfarë të ka ndodhur? – e pyeta.
– Më morën me forcë në një spital ku më sterilizuan, sepse nëna ime është çifute. Kur shkova në shtëpi, prindërit e mi ishin zhdukur.
Në fakt babain ia kishin arrestuar, ndërsa nënën ia kishin internuar në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Nuk munda të bëj tjetër gjë për atë djalë, veçse e ndihmova të largohej në Holandë dhe prej andej të shkonte në Amerikë.
Kurrë nuk do të harroj fytyrën e atij djali të shkretë, më kujtohen edhe sot fjalët e tij…
Ngjarje të tilla mund të tregohen me mijëra dhe përballë këtyre ngjarjeve njeriu mund të pyesë veten:
“Po Perëndia? Ku është Perëndia? A nuk mund të ndërhyjë Ai në të tilla raste? Po përse pra Perëndia nuk ndërhyn?”
Njëherë në qytetin e Këlnit, hyri në një shkollë private një i çmendur duke mbajtur në duar një flakëhedhëse. Dymbëdhjetë fëmijë u dogjën nga zjarri. Edhe këtu vlen të pyesësh: “Po Perëndia, pse nuk ndërhyn?”
Më kujtohet një grua e sëmurë nga kanceri. Ajo vdiq mes dhembjeve të mëdha, duke u larguar përgjithmonë nga fëmijët e saj. Edhe këtu vlen të pyesim: “Po Perëndia, pse nuk ndërhyn?”
Shumë e shumë njerëz bëjnë të njëjtën pyetje: “Përse Perëndia nuk ndërhyn?” Në këto raste njeriu i sotëm mund të pyesë veten se a ka vallë në qiell një Atë të mëshirshëm. Dhe kur nuk gjen përgjigjen, thotë: “Ku është vallë Perëndia? Përse nuk ndërhyn ai në të gjitha këto ndodhi të llahtarshme?”
Shpeshherë njeriu ndodhet përballë një mendimi dhe ideje të rrezikshme që i lind në tru: “Ndoshta Perëndia nuk ekziston, mbase qielli është i pabanuar, dhe mos vallë ateizmi është i vërtetë”.
I dashur mik, atyre që u vijnë ndërmend të tilla mendime duhet t’i ketë pushtuar tmerri, sepse në qoftë se Perëndia nuk ekziston, do të ndodhte një gjë e llahtarshme. Njerëzit do të ishin si kafshë të braktisur në vetvete. Do të ishin si fëmijë të humbur që nuk gjejnë dot shtëpinë e tyre. Në qoftë se nuk do të kishte Perëndi, do të ndodhnin gjëra të tmerrshme. Njerëzit do të lëshoheshin njëri kundër tjetrit. Një proverb latin thotë: “Njeriu për njeriun është ujk” dhe kjo është shumë e tmerrshme për njerëzimin.
Si pastor, shumë herë i kam dëgjuar këto fjalë: “Përse Perëndia lejon gjithë këto? Përse Perëndia hesht për ato që ndodhin?”
Pra këtyre pyetjeve që më janë drejtuar dëshiroj t’u përgjigjem, por, përpara kësaj, dua t’ju them se nuk jam sekretari privat i Perëndisë. Ai as më ka besuar apo diktuar planet e tij. Zoti Perëndi që unë i besoj është Ati im suprem.
Në Bibël lexojmë: “Mendimet e mia nuk janë si të tuajat, dhe udhët e mia ndryshojnë nga të tuajat”. Kjo është shumë e kuptueshme. Unë kam disa njohuri rreth Biblës dhe mbi bazën e tyre dëshiroj t’i përgjigjem kësaj pyetjeje: “Përse Perëndia nuk ndërhyn?”
Lexoni më shumë këtu