“Jezusi nuk është më tepër se një profet i zakonshëm”
Kundërshtimi mysliman:
Jezusi është profet si cilido tjetër, Jezusi erdhi vetëm për izraelitët. Muhamedi është profeti më i madh dhe i fundit i cili erdhi për tërë njerëzimin”, (shih Suret 4:171; 5:75; 33:40; 43:59; 43:63-64).
Myslimanët e pranojnë Jezusin si jo më tepër se një profet. Muhamedi, në anën tjetër, paraqitet si i fundit, profeti më i rëndësishëm dhe më i madh. Sidoqoftë Kurani i atribuon një pozitë shumë të lartë dhe në fakt unike Jezusit.[1] Ndonëse ai përmendet në 15 nga 114 suret e Kuranit,[2] asnjë nga këto sure nuk lidhet ekskluzivisht me personalitetin dhe veprën e tij. Prandaj një figurë e Jezusit nga Kurani duhet të ndërtohet nga 93 vargjet e shpërndara të cilat flasin për të. Thëniet më të rëndësishme mbi Jezusin dhe titujt e dhënë atij janë të theksuara më poshtë:
Sura | Thënia |
3:45 | Ai është tejet i çmuar në këtë botë dhe në botën tjetër. |
4:158 | Ai është marrë në qiell (tekstualisht: tek vetja e tij dmth. te Allahu) nga Allahu |
4:171 | Ai është Mesia (Krishti)[3], fjala e Allahut,[4] shpirt nga Allahu. |
5:113 | Ai krijoi jetën, shëroi të sëmurët dhe ringjalli të vdekurit. |
19:19 | Ai ishte i patëmetë (pa mëkate).[5] |
19:20 | Ai ishte lindur nga një e virgjër. |
19:21 | Ai është shenjë për njerëzimin. |
19:34 | Ai është fjala e të vërtetës. |
21:91 | Ai është shenjë për të gjithë njerëzit e botës. |
43:61 | Ai ka “njohurinë e ditës” (së gjykimit). |
43:63 | Ai erdhi me dëshmi të qarta. |
Shumica e myslimanëve i injorojnë këto thënie të mahnitshme nga Kurani të cilët e paraqesin Jezusin të jetë unik. Është domethënëse, sidoqoftë, që Kurani asnjëherë – as edhe në vendet ku kthehet kundër mësimeve krishtere me shumë egërsi – nuk i atribuon ndonjë mëkat Jezusit.[6] Veç kësaj, është për t’u shquar që Kurani përdorë termin Mesih[7], edhe pse një njëri do të priste që ta mohonte fuqishëm këtë titull të veçantë. Kështu, edhe Kurani madje e përshkruan Jezusin si unik, person të pabarabartë i cili është më shumë se një profet. Myslimanët argumentojnë çdo herë të njëjtën që Jezusi ishte vetëm një profet i dërguar për popullin e tij, për izraelitët, duke e bazuar këtë qëndrim në vargun nga Bibla, “Nuk jam dërguar gjetiu, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. (Mat.15:24; shih gjithashtu Mat. 1:21; 10:5-6).
Përgjigjja ndaj kësaj është se misioni i Jezusit duhet të shihet në tërë kontekstin e tij.[8] Fillimisht, Jezusi përqendroi predikimin e tij tek judenjtë dhe më vonë e zgjeroi atë tek paganët. Kjo bëhet e qartë në përballje të shumta që Jezusi kishte për shembull, me gruan teksa ishte në pusin e Jakobit (Gjn. 4)[9]. Urdhërimi i madh (Mat.28:18-20) dhe premtimi i Frymës së Shenjtë për dishepujt (Vep.1 :8) tregon qartë se mesazhi i Jezusit vlen për të gjithë njerëzimin.
Strategjia e Jezusit është e rrënjosur në bekimet e Perëndisë për Abrahamin (Zan. 12:1-3): “…te ti do të jenë të bekuara të tëra familjet e tokës”. Jezusi e konfirmon këtë me fjalët, “…sepse shpëtimi vjen nga judenjtë” (Gjn. 4:22). Në këtë mënyrë, Jezusi fillon misionin e tij me predikim ndaj judenjve sepse bekimet e Perëndisë vijnë nëpërmjet judenjve tek i gjithë njerëzimi.
Kundërshtimi mysliman se Jezusi ishte dërguar vetëm tek izraelitët është në kontradiktë me thëniet e Kuranit. Sura 19:21 thotë që Jezusi ishte “shenjë për njerëzimin”.
[1] Të krishterët nuk kanë nevojë për Kuranin që të paraqesin Jezusin unik. Por mund t’iu nxjerrin në pah myslimanëve që ata duhet të arsyetojnë, me anë të studimit të kujdesshëm të Kuranit, se Jezusi është më tepër se një profet: ai është unik dhe i pakrahasueshëm.
[2] Lidhur me Jezusin në Kuran, shih për shembull Parrinder 1965.
[3] Shpjegime lidhur me temën e “Mesias” shih seksionin 1965.
[4] Al-Buhariu (6:200-2-1; 60.178.236) vërteton titullin “Fjala e Allahut” për Jezusin.
[5] Kurani po ashtu thotë që Gjon Pagëzori ishte i shenjtë në Suren 19:13. Të gjithë profetët tjerë përveç Jezusit duhej të kërkonin falje për mëkatet e tyre, përfshirë Muhamedin (Suret 4:106; 40:55; 47:19). Hadithi nga Al-Buhariu (6:324; 54.10.506) vërteton që Jezusi ishte kursyer nga prekja e Satanit dhe mëkatit.
[6] Ekzistojnë rrëfime që të gjithë profetët mëkatuan dhe kanë kërkuar për falje. Tradita myslimane, gjithashtu, konfirmon pamëkatshmërinë e Jezusit.
[7] Kurani nuk ofron sqarim lidhur me këtë titull.
[8] Myslimanët i përdorin vargjet biblike shpesh jashtë kontekstit të tyre që i çon ata në konkluzione false.
[9] Këtu, Jezusi flet me një grua samaritane nga fshati Sihor. Më pas, ai i adreson shumë njerëz nga i njëjti fshat. Si rezultat i kësaj përballjeje, shumë besuan në Jezusin.
NGA: “PYETE MIKUN TËND MYSLIMAN” – Dr. Andreas Maurer