Gjon pagëzori ishte apo nuk ishte Elija që do të vinte?

Gjon pagëzori ishte (Mateu 11:14;17:10-13) apo nuk ishte Elija që do të vinte (Gjoni 1:19-21)?

(Kategoria: Është keqkuptuar konteksti historik)

Mateu regjistron Jezusin duke thënë që Gjon Pagëzori ishte Elija që do të vinte, ndërsa Gjoni duket se regjistron Gjon Pagëzorin duke e mohuar këtë gjë. Arsyeja për këtë mospërputhje të dukshme është mungesa e kontekstualizimit të lexuesve. Priftërinjtë dhe levitët erdhën tek Gjon Pagëzori dhe e pyetën atë nëse ai ishte Elija. Një pyetje vërtet qesharake për t’ia bërë dikujt, vetëm nëse ju i njihni Shkrimet hebraike. Sepse Perëndia thotë përmes profetit Malakia që ai do t’ia dërgojë popullit të Izraelit Elijën para një kohe të caktuar. Prandaj gjersa populli izraelit po priste Elijën, pyetja është krejtësisht logjike. Gjoni ishte afërsisht 30 vjeç kur ia bënë këtë pyetje. Prindërit e tij kishin vdekur tashmë; ai ishte biri i vetëm i Zakarijës nga fisi i Levit. Prandaj kur e pyetën se a ishte ai Elija që ishte ngritur në qiell para 878 vitesh, përgjigja me siguri ishte “Jo, unë nuk jam Elija”. Jezusi gjithashtu dëshmon, edhe pse në mënyrë indirekte, që Gjoni nuk është Elija, tek Mateu 11:11 ku thotë që Gjoni është më i madh se të gjithë njerëzit që kanë lindur ndonjëherë. Mojsiu ishte më i madh se Elija, por Gjoni ishte më i madh se ata të dy së bashku. Prandaj çfarë do të thotë Jezusi kur ai thotë se “Gjoni është Elija që duhet të vijë”? Engjëlli Gabriel (Xhibril në arabishte) i flet Zakarisë për birin e tij, i cili akoma nuk kishte lindur duke thënë që “do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë” (Luka 1:17) Engjëlli i referohet dy profecive, Isaisë 40:3-5 (shiko tek Luka 3:4-6 për të parë këtë të përdorur sërish për Gjon Pagëzorin) dhe Malakisë 4:5-6, i përmendur më lart, që thotë “Ja, unë do t’ju dërgoj Elinë, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit. Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve”. Gabrieli thotë qartë që Gjoni është “Elija” për të cilin Perëndia kishte parashikuar përmes profetit Malakia. Pra, a ishte Gjoni Elija? Jo. Por po ta pyesnin priftërinjtë dhe Levitët” A je ti ai për të cilin profeti Malakia flet si “Elija”? Atëherë Gjoni do të përgjigjej pozitivisht. Jezusi tek Mateu 17:11-13 thotë që profecia e Malakisë është e vërtetë, por Elija tashmë kishte ardhur. Ai thotë që “Elija” ka vuajtur, ashtu si Jezusi do të vuante; “dishepujt e kuptuan që ai po ju fliste për Gjon Pagëzorin”. Prandaj, pasi të kuptojmë kontekstin kjo bëhet e qartë; Gjoni vërtet nuk ishte Elija, por ai ishte Elija për të cilën bënte fjalë profecia, ai i cili do të përgatiste rrugën për Mesinë, Jezusin, “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës”, Gjoni 1:29.

Nga: “Mospërputhjet në Bibël”, Shtëpia Botuese Tenda

Bookmark the permalink.