Si mund të shpëtohem?

‘A do të pranohem nga Perëndia nëse përpiqem të jetoj një jetë të mirë?’…JO31.

‘A mund të shpëtohem nëse i premtoj Perëndisë se do të bëhem më i mirë?’ …JO.

‘Po si mund të shpëtohem atëherë?’ Ka vetëm një mënyrë për t’u shpëtuar32. Vetëm nëse u kthen kurrizin mëkateve të tua, pendohesh, dhe e pranon Jezus Krishtin si Shpëtimtarin tënd.33

Jezusi tha: Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen te Ati përveçse nëpërmjet meje.34

Bibla na mëson disa gjëra shumë të mrekullueshme, por ndoshta një nga gjërat më të larta është fakti se Perëndia është në gjendje t’ua falë mëkatet njerëzve të zakonshëm, atyre si unë dhe si ti. Dera e shpëtimit qëndron e hapur kanat më kanat. Zoti Jezus Krisht thotë:

Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.35

Personi të cilit Perëndia i ka falur mëkatet, dhe i cili, pra, e njeh dhe i bindet Jezus Krishtit si Zotit dhe Mikut të tij, quhet i krishterë. Ndoshta ti mund të kesh ndonjë pyetje për t’u bërë i krishterë. Në pjesën tjetër të kësaj librushke do të merremi me disa pyetje që bëhen shpesh.

Çfarë do të më kushtojë nëse do të bëhem i krishterë?

Ne nuk mund ta blejmë faljen e mëkateve. Ajo është një dhuratë nga Perëndia. Por nëse bëhesh i krishterë kjo do të thotë se në të ardhmen vullneti i Krishtit do të duhet të sundojë në jetën tënde. Ai do të të thotë të heqësh dorë nga disa gjëra që ke bërë gjatë gjithë jetës. Dhe do të të thotë të bësh disa gjëra që nuk i ke bërë kurrë më parë. Fjala e Perëndisë është rregulla e jetës për çdo të krishterë. Njerëzit mund të të tallin pasi je bërë i krishterë. Ndoshta do të të duhet të përballosh edhe kundërshtim nga ana e miqve dhe madje dhe nga pjesëtarët e familjes. E gjithë kjo nuk është e lehtë për t’u mbajtur. Përkundrazi, një pjesë e saj është shumë e vështirë. Por ky është çmimi që duhet të paguash nëse do të jesh mik dhe ndjekës i Jezus Krishtit.36

Si mund ta di se Krishti do të më pranojë?

‘A duhet të bëj ndonjë gjë përpara se t’i kërkoj Perëndisë të më shpëtojë?’…JO.

‘A është e domosdoshme që ta ndiej praninë e Perëndisë në ndonjë mënyrë të veçantë përpara se t’i kërkoj të më shpëtojë?’ …JO.

‘A mos jam vallë aq mëkatar sa të mos shpëtohem dot?’ …JO.

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve dhe të tjerave si këto është se Krishti është gati të pranojë gjithkënd. Kushdo që të jesh, çfarëdo që të kesh bërë më parë, sido që të ndiesh, Jezusi të fton, kështu si je, që të vish te ai dhe të shpëtohesh37. Te Krishti nuk është nevoja të vish duke pretenduar se je më i mirë nga ç’je në të vërtetë. Mbaj mend se Jezusi të njeh shumë më mirë nga ç’e njeh ti veten tënde, dhe ai ka thënë:

Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr kurrë jashtë.38

Kur dikush bëhet i krishterë duhet të pendohet për mëkatet e tij dhe t’i besojë Jezus Krishtit që ta shpëtojë.

Ç’domethënë të pendohesh nga mëkati?

Pa Krishtin ne jemi të gjithë njerëz mëkatarë dhe gjithnjë mendojmë dhe bëjmë gjëra që e zemërojnë Perëndinë. Ne e ndjekim me dëshirë rrugën e mëkatit. Të pendohesh do të thotë t’i kthesh plotësisht kurrizin rrugës që kishe nisur më parë, dhe të nisesh në drejtim të kundërt. Kjo do të thotë ta urresh mëkatin (megjithëse më parë e doje) dhe të synosh t’i japësh fund që ta kënaqësh Perëndinë.39

Ç’domethënë të besosh në Jezus Krishtin?

Kjo do të thotë të besosh se Perëndia e ka dërguar Birin e tij në botë për qëllimin që kishte shpallur ai vetë:

Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.40

Vendose besimin dhe sigurinë tënde në Krishtin në mënyrë që ai të të shpëtojë. Mbështetu vetëm në të. Si mund ta dish nëse e ke vendosur gjithë besimin tënd tek ai? Kur i beson dikujt, ti e dëgjon me kujdes dhe bën çfarë të thotë ai. E njëjta gjë është dhe kur i besojmë Jezusit.41

Por unë ndihem tepër i dobët për t’u penduar dhe besuar në Jezusin; e di që mund të heq dorë shumë lehtë; çfarë duhet të bëj?

Askush nga ne nuk ka fuqi dhe vullnet në vetvete për t’u penduar dhe besuar. Ne e kemi të pamundur ta bëjmë këtë gjë në fuqinë tonë. Jemi të gjithë të dobët. Por Perëndia është i Gjithpushtetshëm. Ne duhet t’i kthejmë kurrizin mëkatit, por duhet t’i lutemi Perëndisë që të na japë forcë që ta bëjmë këtë gjë me të vërtetë, dhe në mënyrë të plotë. Duhet ta vendosim besimin tonë në Krishtin, por duhet t’i lutemi Perëndisë që ta bëjë të vërtetë dhe të qëndrueshëm këtë besim. Është Perëndia ai që na aftëson për t’u penduar dhe besuar.

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit [mëshirës së pamerituar të Perëndisë kundrejt nesh], nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk është nga ju; po është dhurata e Perëndisë.42

Kur bëhemi të krishterë, jo vetëm që na falen mëkatet, por kemi edhe një lidhje plotësisht të re dhe të përhershme me Perëndinë. Bëhemi pjesëtarë të familjes së Perëndisë. Ai bëhet atëherë Ati ynë qiellor. Dhe Perëndia Frymë e Shenjtë vjen për të banuar në ne. Fryma na jep dëshira të reja për të jetuar për Jezus Krishtin. I krishteri ka një dashuri të vërtetë për Krishtin dhe një ndjenjë borxhi ndaj tij që nuk do të mund t’ia shpaguajë kurrë. Shpirti i Shenjtë i Plotfuqishëm vepron brenda çdo të krishteri dhe është i vendosur që ta shpjerë të sigurt në parajsë.43 I krishteri, pra, është në gjendje të thotë i sigurt:

‘Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku…?
Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta,  as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë
nga dashuria e Perëndisë që është në Jezus Krishtin, Zotin tonë.’
(Fjala e Perëndisë).

Nga: Xhon Benton – “Eja beso Krishtin!” Shtëpia Botuese Tenda, Prishtinë 2002

[31] Isaia 64:6.
[32] Veprat 4:12.
[33] Veprat 16:31.
[34] Gjoni 14:6.
[35] Mateu 11:28.
[36] Lluka 14:25-35.
[37] Veprat 17:30; 1 Gjonit 3:23.
[38] Gjoni 6:37.
[39] Ezekiel 14:6; Veprat 26:20.
[40] Gjoni 3:16.
[41] Veprat 15:11, 2 Timoteut 1:12.
[42] Efesianëve 2:8.
[43] Romakëve 8:14-17; 1 Korintasve 12:3;Filipianëve 2:12-13; Filipianëve 1:6.