Pyetja shtrohet gabuar
Pyetja “Përse Perëndia nuk ndërhyn?” shtrohet gabuar. Sikur në vendin e gjykatësit është zoti Bush, dhe në vendin e të pandehurit qëndron Perëndia! Dhe kështu ne bëjmë akuzën: “Perëndi, përse i lejon gjithë këto? Përse nuk ndërhyn?”
Po të them sinqerisht se nuk ndodh kurrë që Perëndia t’i lejojë vetes të qëndrojë në vendin e të akuzuarit, por ndodh krejt e kundërta.
Më kujtohet një ngjarje, të cilën e kam parë me sytë e mi. Atëherë isha akoma pastor i ri.
Isha 27 vjeç. Kisha pak kohë që ndodhesha në Essen. U bë një grevë e madhe e minatorëve. Duke ecur në rrugë, pashë një burrë këmbëzbathur që rrinte tek porta e një shtëpie duke folur me disa njerëz që e rrethonin. Ai ankohej për gjendjen e rëndë ekonomike, shtrenjtësinë e madhe të jetesës, për rrogën e ulët, aq të ulët sa nuk përballonte jetesën e familjes dhe fëmijët po i vdisnin nga uria. Porsa më pa, më thirri:
– Ah, ja dhe pastori. Eja pak këtu, të lutem.
Në përgjithësi i pranoj ftesat miqësore, kështu vajta drejt atij grupi njerëzish. Më bënë vend përpara. Ndodheshin rreth 100 veta, të gjithë minatorë. Ai që më ftoi m’u drejtua duke më thënë:
– Dëgjo, prift, në rast se ekziston një Perëndi, gjë për të cilën nuk jam i sigurt, dua që kur të vdes të ndodhem para tij dhe t’i them: “Përse, o Zot, lejon që njerëzit të shfarosen në fushat e luftës? Përse lejon që fëmijët të vdesin urie, ndërsa shumë të tjerë të zhdëpen së ngrëni? Përse lejon që shumë njerëz të vdesin nga kanceri? Përse? Përse?…. Dhe së fundi do t’i them: Ti, Perëndi, largohu, ikë prej këtej! Largohu nga ne njerëzit. Ikë!”
Në këtë mënyrë ankohej ai fatzi. Atëherë edhe unë iu përgjigja:
– Ke të drejtë. Larg qoftë ky perëndi!
Ai u çudit nga ato që thashë. U shqetësua dhe shtoi:
– Dëgjo, ti je pastor dhe nuk mund të flasësh kështu.
– Ky perëndi për të cilin ti po shprehesh me të tilla fjalë, – i thashë, – ky perëndi që ti po akuzon, duke e vënë në bangon e të akuzuarit, ky perëndi për të cilin ti po flet, ekziston vetëm në imagjinatën tënde. Pra një perëndi i tillë si e cilëson ti, nuk ekziston, por dua të them se ekziston një tjetër Perëndi, ai i vërteti. Pra atij do t’i paraqitesh si i akuzuar, dhe para tij nuk do të mund të hapësh gojën, sepse ai do të të akuzojë ty: “Pse s’më ke kërkuar? Pse nuk më ke respektuar? Pse ke jetuar në mëkat? Pse ke gënjyer? Pse ke urrejtur, pse grindesh, pse ngre padi?” Ai do të t’i bëjë këto pyetje dhe ti nuk do të jesh në gjendje të flasësh, bile të mos japësh as edhe një përgjigje. Pra, nuk ka asnjë perëndi të cilit mund t’i thuash: “Largohu prej meje!” Dua të të pyes akoma se a i bindesh Ligjit të Perëndisë? Perëndia na e ka dhënë atë, pra jemi ne të akuzuarit dhe jo Perëndia. Këto që po t’i them me sinqeritet, janë ato që ti duhet t’i dish.
Heshtja e Perëndisë
Përse hesht Perëndia? Është e vërtetë se shpeshherë Perëndia hesht, dhe heshtja e tij është një gjë që të gjithë ne e shohim. Kur Perëndia nuk ka asgjë për të na thënë, kjo është gjë e tmerrshme për ne.
Ka një varg në Bibël që thotë: “Atë që mbjell, do ta korrësh!” Në qoftë se ne ia kemi kthyer shpinën Perëndisë dhe nuk kemi dëshirë të dëgjojmë atë që na thotë ai, atëherë nuk mund të presim që ai të na dëgjojë kur e thërrasim! Në Bibël thuhet: “Ju bëra thirrje dhe nuk më dëgjuat!” Përse ti, o njeri, nuk përgjigjesh kur Perëndia të thërret?
Largësia e madhe pengon dëgjimin e përgjigjes
Kur mendojmë se Perëndia nuk përgjigjet, do të thotë se jemi shumë larg prej tij. Para pak kohësh, erdhi tek unë një djalosh dhe më tha:
– Pastor Bush, po më bëni nervoz duke më folur ngaherë për Perëndinë. Sa herë që takohemi në rrugë për Perëndinë më flet, por unë as po e dëgjoj as po e shoh atë. Si flet pra ky Perëndi? Unë nuk e kam dëgjuar as edhe një herë.
– Djalosh, – i thashë, – a e njeh historinë e djalit plangprishës?
– Pak a shumë, – u përgjigj ai.
– Pak a shumë do të thotë se nuk e njeh fare, por unë do ta tregoj ashtu si e tregoi edhe vetë Jezusi.
Një njeri kishte dy bij. Njëri nga këta, ai më i riu, i tha babait: “Baba, jepma pjesën e trashëgimisë që më takon mua!” Ai kishte dëshirë të largohej prej shtëpisë. I ati ia dha pjesën e tij, dhe djali u largua. Në Bibël thuhet: “E harxhoi pasurinë e tij duke jetuar për shtatë palë qejfe”. Kështu ai mbeti aq keq sa vuante për kafshatën e gojës. Në Izrael derrat i quajnë kafshë të fëlliqura, dhe për çdo izraelit, të punosh me derrat është puna më e neveritshme. Ai hante nga ushqimi i derrave, kaq keq ishte katandisur.
Atje ku ishte nuk mundej të dëgjonte zërin e babait, sepse ishin në distancë shumë të largët. Biri i humbur shpesh pyeste veten: “Pse nuk e dëgjoj zërin e babait?” dhe është e logjikshme që nuk mund ta dëgjonte. Në atë gjendje të mjeruar, akuzonte babain duke thënë: “Si është e mundur që ai të më lërë në këtë gjendje kaq të mjeruar?”
Kështu më duket edhe mua bota sot. Shumëkush e ka braktisur Perëndinë, dhe, kur ndodhet në një gjendje të mjeruar, thërret: “Si është e mundur që Perëndia më la kështu të mjerë? Përse nuk ndërhyn Ai?”
Por një ditë biri plangprishës i thirri vetes: “Edhe punëtorët e babait tim hanë dhe buka u tepron, ndërsa unë po vdes nga uria. Do të shkoj tek ai, dhe do t’i them, O atë, unë jam fajtor para teje dhe para Perëndisë”. Kështu mori rrugën për në shtëpi. I ati e pa së largu, i shkoi pranë. I biri i tha: “O atë, jam fajtor”.
Babai, në vend të përgjigjes, e përqafoi dhe urdhëroi shërbëtorët t’i sillnin rrobat më të mira; i vuri unazën e tij në gisht dhe i dha një palë sandale. Tani ai dëgjoi zërin e babait.
Në qoftë se ti nuk dëgjon zërin e Perëndisë, do të thotë se je shumë larg nga ai. Duhet të pendohesh, të pranosh mëkatet dhe t’i kthehesh atij.
Në kohën e Luftës së Parë Botërore, isha nëntoger dhe e dija shumë mirë që nuk kisha lidhje me Perëndinë. Megjithatë mendoja: “Vërtet, më duhet të kthehem tek Perëndia”.
Nuk kam takuar asnjë njeri që të thotë: “Duhet të ndryshoj. Kam shumë mëkate në jetën time, zemra ime nuk është e pastër”.
Secili nga ne e di se duhet të pendohet. Përse nuk e bën këtë gjë? Nrysho rrugën tënde dhe atëherë do të dëgjosh zërin e Perëndisë.
Duhet të dëgjojmë Fjalën e fundit të Perëndisë
Ajo që dua të të them tani, është gjëja më interesante. Në rastet kur të duket se Perëndia nuk të përgjigjet, duhet të dëgjosh Fjalën e tij të fundit. Për këtë po të them një varg të Biblës:
“Në të kaluarën Perëndia foli shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme me të parët tanë me anë të profetëve. Por tani, këto ditët e fundit, na ka folur me anë të Birit”.
A e di kush është Biri i Perëndisë? Ai është Jezusi. Ky Jezus është ai që quhet, siç thotë Bibla, “Fjala e Perëndisë”.
Fjala u bë mish dhe ka jetuar për një kohë të gjatë midis nesh. Pra Jezusi, Jezus Krishti, është Fjala e fundit e Zotit Perëndi. Në qoftë se ti nuk e dëgjon dhe nuk e pranon atë, Perëndia nuk ka se çfarë të të thotë. Kur njerëzit ankohen, Perëndia nuk flet. Ai nuk ka asgjë për të të thënë, në qoftë se ti nuk e dëgjon Fjalën e tij.
Që të mund të kesh Jezusin, duhet ta pranosh atë. Nuk ka rrugë tjetër, ai është mes njerëzve dhe u flet atyre.
Një herë një i lebrosur, kishte dëshirë ta shihte. Ai kishte dëgjuar për të. Çau midis turmës dhe shkoi para tij. Turma deshi ta përzinte. “Ikë! Largohu prej këtej”, – i thërrisnin, dhe e qëllonin me gurë. I lebrosuri i ra në gjunjë dhe duke qarë i tregoi Jezusit për vuajtjet e tij.
– Jeta ime është e shkatërruar, o Jezus. Në qoftë se do, ti mund të më ndihmosh, të më shërosh. Ndihmomë të lutem.
Turma mendonte se Jezusi do të largohej prej tij, por nuk ndodhi kështu. Jezusi, duke e parë atë njeri fatkeq, iu afrua dhe e preku me dorë. Njerëzit bërtisnin: “Mos e prek, mos e prek, nuk duhet t’i afrohesh të lebrosurit”.
Por Bibla na thotë se Ai e preku, duke i thënë: “Ngrihu! Je i shëruar”, – dhe kështu ndodhi!
Asgjë nuk është e papastër për Shpëtimtarin, asnjë fatkeqësi ose sëmundje nuk është e pashërueshme për të. Të them se po të isha piktor, do të pikturoja dorën e Shpëtimtarit të vendosur mbi kokën e atij të lebrosuri.
Ky pra është Jezusi, çudibërësi i gjithë shekujve dhe, në qoftë se ka ndonjë që është larguar prej tij, Jezusi i thotë: “Je i shpëtuar, dua që ti të jesh i imi”. Nëpërmjet Jezusit ne kemi dashurinë e Perëndisë, atëherë ai na dëgjon, na ndihmon në fatkeqësi, na lan mëkatet, na lan nga ndyrësitë, na shëron nga sëmundjet. Pra Jezusi është Fjala e fundit e Perëndisë.
Perëndia na ka folur shpeshherë qartë dhe fuqishëm. A nuk na mjafton kjo? Është ky Jezus ai që u kryqëzua mbi kryq para asaj turme njerëzish mëkatarë të cilët e fyenin dhe e kërcënonin. Le të bashkohemi me turmën nën kryqin e tij, të shohim Njeriun e Golgotës, me atë fytyrë plot plagë dhe një kurorë gjembash në kokë.
– Përse të kanë kryqëzuar, o Jezus?
– Sepse ti je mëkatar para Perëndisë dhe për këto mëkate, për të cilat ti do të paguaje në ferr, po paguaj unë për ty. Dikush duhej të paguante mëkatet e tua, dhe ja po e bëj unë për ty, vetëm ki besim te Perëndia.
I dashur mik, kur isha i ri mësova se Jezusi, ky Engjëll i Perëndisë u flijua, mori përsipër të gjitha mëkatet. Ai pagoi borxhin tonë. Ai lau mëkatet tona me të vetmin qëllim, që ne të pajtoheshim me të. Kështu unë e pranova atë si Shpëtimtarin tim. Tek kush tjetër të kisha më shumë besim se tek ai?
Jezusi u varros dhe varri i tij u mbyll me një shkëmb të madh. Disa ushtarë e ruanin atë varr. Në mëngjesin e ditës së tretë u dëgjua një zhurmë aq e madhe sa i trembi ushtarët e rojës. Ishte akti i fundit i ringjalljes së Jezusit në lavdinë e tij.
Nuk është një përrallë, por e them këtë sepse Jezusi me të vërtetë u ngjall. Dhe ky Jezus që vdiq për ty, tani është gjallë, është gjallë dhe po na thërret duke na porositur me Fjalën e tij, që është Fjala e Perëndisë. Pra dëgjoje atë se është vendimtare për jetën tënde. Pra Perëndia përgjigjet, ai ndërhyn se është i gjallë. Fjala Jezus do të thotë dashuri, hir, mëshirë dhe përdëllim. Pra nuk mbetet asgjë për t’u bërë, çdo gjë përqëndrohet vetëm në pranimin e Jezusit që është Fjala e fundit e Perëndisë.
Perëndia vepron gjithmonë me drejtësi. Perëndia i di të gjitha. Edhe në errësirë sikur të jemi, Ai vepron.
Heshtja e Perëndisë mund të jetë thirrje
Mund të pyesësh shpeshherë përse Perëndia lejon këtë apo atë gjë, por përgjigjja ka rëndësi kur ti e njeh atë personalisht.
Kur isha pastor në një qytet minatorësh u ndodha para një situate të vështirë. Më treguan se një minator kishte pësuar një aksident. Një shkëmb i kishte rënë në shpinë, dhe ishte paralizuar pa shpresë shërimi. Ishte e tmerrshme. Shkova ta shoh, por kjo vizitë për mua ishte nga më të hidhurat. Dhoma ku jetonte ishte mbushur plot me minatorë dhe i paralizuari ishte ulur në një karrige me rrota. Porsa hyra, ai më thirri me zë të lartë:
– Ti korb i zi, dil jashtë! Ku ishte Perëndia yt kur shkëmbi më ra në shpinë? Përse nuk ndërhyri ai?
Pas këtyre fjalëve filloi të mallkojë. Nuk munda të them as edhe një fjalë, kështu u largova.
Në atë qytet kishte disa minatorë që ishin miqtë e mi, të cilëve u tregova për vizitën që bëra dhe për sa më ngjau.
Disa javë më vonë në takimin e bashkësisë sapo kisha filluar predikimin e zakonshëm, u hap porta dhe futën brenda në sallë minatorin e paralizuar ulur në karrigen me rrota. Zuri vend përballë meje. Rifillova predikimin që kisha me këto fjalë nga Bibla: “Perëndia kaq e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëm, që kushdo që do t’i besojë atij nuk do të humbasë, por do të ketë jetën e përjetshme”.
I paralizuari më dëgjonte me vëmendje. Ishte hera e parë që dëgjonte për Jezusin. Menjëherë ai pa “dritën”, dritën e vërtetë. Pas katër muajsh ai i takonte tërësisht Jezus Krishtit. Ishte një mrekulli ky ndryshim i tillë. Banesa e tij tani kishte ndryshuar. Në vend që të blasfemohej, dëgjoje këngë për Jezusin. Miqtë e tij të vjetër ishin larguar dhe tani kishte miq të rinj. Mbi tavolinën në mes të dhomës ndodhej një Bibël. Gruaja e tij kishte një punë të mirë dhe të gjithë së bashku jetonin mjaft mirë. U bëmë miq të ngushtë.
Para se të vdiste, i bëra një vizitë, të cilën nuk do ta harroj kurrë.
– Mik si je? – i thashë.
– Oh, – u përgjigj ai, – që kur ia dorëzova jetën time Jezusit, që kur ai më fali mëkatet, që kur jam bërë fëmijë i Perëndisë, në shtëpinë time çdo ditë është si Dita e Krishtlindjeve.
Ishte një shprehje e qartë dhe kuptimplote. Pastaj shtoi diçka që unë nuk do ta harroj kurrë:
– Bush, – më tha, – e ndiej që do të vdes. Do të shkoj drejt portave të Perëndisë, dhe duke u gjunjëzuar para tij do ta falënderoj që theva kolonën vertebrale.
– Ç’thua kështu? – e pyeta.
– Unë e di se ç’them tani. Në rast se nuk do të ngjiste ky aksident, në rast se Perëndia do të më linte në mëkate, në blasfemi, unë do të hidhesha në skëterrë përgjithmonë. Por nga dashuria e madhe që kishte ai për mua, nëpërmjet këtij aksidenti, ai bëri që unë të takohesha me të, me Jezusin. Nëpërmjet Fjalës së tij u bëra fëmijë besnik i Perëndisë dhe për këtë dua ta falënderoj. Është më mirë t’i përkasësh Jezusit dhe të jesh një fëmijë i paralizuar i Perëndisë, sesa të shkosh me dy këmbë të shëndosha drejt skëterrës.
– Miku im, – i thashë, – Perëndia të dha një provë. Më parë thoshe “Ku është Perëndia? Pse nuk ndërhyn ai?” Tani e kuptove qëllimin e vërtetë të tij. Perëndia ka dashur të të udhëheqë te Jezusi dhe ky Jezus me Fjalën e tij do të të çojë te Perëndia, ati i tij.
Shihet qartë, miku im, se nuk ka përse të pyesim: “Përse? Me ç’qëllim?” etj. Unë besoj se çdo vuajtje në jetën tonë i shërben Perëndisë që të na udhëheqë drejt rrugës së tij, drejt tij nëpërmjet Jezus Krishtit. Amen!