Perëndia është Krijuesi i Botës dhe i Çdo Personi në të. 1
Perëndia sundon mbi krijimin e tij dhe gjithçka që ndodh është vendosur prej tij. Ngaqë Perëndia na ka krijuar, ne i përkasim atij dhe ai ka të drejta mbi ne. 2
Megjithëse Perëndia i ka bërë të gjitha krijesat, vetëm njeriu u krijua si një qenie shpirtërore së bashku me një trup fizik. Në fillim njeriu u bë i përkryer në shëmbëllimin e Perëndisë 3, dhe ishte i lidhur ngushtë me Perëndinë si me atin e tij dhe shijonte një miqësi të ngushtë me të. Por njeriu i parë e prishi gjithë këtë duke u rebeluar kundër Perëndisë. Me anë të këtij veprimi e gjithë raca njerëzore ra nën mallkimin e Perëndisë. 4
Perëndia është i padukshëm për ne por shikon dhe di gjithçka. 5
Pa e kuptuar ne, Perëndia është kudo, dhe nuk ka asgjë që mund t’i fshehim. Ai shikon edhe mendjen tonë dhe na njeh më mirë sesa vetë ne.
Perëndia është i Shenjtë. 6
Shenjtëria e Perëndisë do të thotë se Perëndia është i mirë në kuptimin më të lartë të mundshëm. Ai ndryshon nga ne në përkryeshmërinë e tij absolute morale. Perëndia është i pastër dhe urren gjithçka të keqe. Bibla thotë se shenjtëria e Perëndisë është dritë, dhe në të nuk ka kurrfarë errësire. Ai pra duhet të respektohet me frikë dhe adhurim.
Perëndia është Trini. 7
Shpesh duhet ta pranojmë se nuk arrijmë që ta kuptojmë veten tonë, dhe duhet gjithashtu të kuptojmë se nuk kemi për të kuptuar kurrë gjithçka në lidhje me Perëndinë e madh që na ka krijuar. Fjala e Perëndisë, Bibla, na tregon shumë gjëra për Perëndinë të cilat kalojnë përtej të kuptuarit tonë. Ajo na thotë se ka vetëm një Perëndi, por se janë tre persona që janë Perëndi; Ati, Biri (Jezus Krishti), dhe Fryma e Shenjtë. Secili prej tyre është Perëndi, i barabartë në fuqi dhe lavdi, dhe megjithatë nuk ka tre Perëndi, por një.
Perëndia është Dashuri. 8
Zakonisht, ne duam ata që na duan. Por Perëndia ka një dashuri shumë më të lartë se lloji i dashurisë sonë. Çdo ditë, Perëndia e tregon dashurinë dhe mirësinë e tij edhe ndaj atyre njerëzve që janë armiq të tij të flakët.
Nga: Xhon Benton – “Eja beso Krishtin!” Shtëpia Botuese Tenda, Prishtinë 2002
[1] Zanafilla 1:1; Kolosianëve 1:16.
[2] Psalmi 115:3; Fjalët e Urta 16:33;Romakëve 9:19-21.
[3] Zanafilla 1:26.
[4] Zanafilla 3:11-12; Romakëve 5:18.
[5] Kolosianëve 1:15; Hebrenjve 4:13.
[6] Isaia 6:3; 1 Timoteut 6:16; 1 Gjonit 1:5.
[7] Mateu 28:19; Gjoni 5:18; Veprat 5:3-4.
[8] Mateu 5:45; Gjoni 3:16.