Çfarë është Mëkati?

Perëndia, i cili krijoi njerëzit, u ka dhënë atyre një ligj me anë të të cilit të jetojnë. Ky ligj është për të mirën tonë. Ai mund të përmblidhet në këtë mënyrë 9:

  1. Nuk duhet të adhurojmë askënd tjetër përveç Perëndisë të vërtetë.
  2. Nuk duhet të kemi mendime të gabuara në lidhje me Perëndinë, dhe duhet ta adhurojmë atë vetëm ashtu siç na mësohet në Bibël.
  3. Nuk duhet ta përdorim emrin e Perëndisë më kot ose si mallkim.
  4. Duhet ta mbajmë tani ditën e dielë si një ditë të veçantë të veçuar për Perëndinë, dhe ta plotësojmë punën tonë gjatë gjashtë ditëve të tjera të javës.
  5. Duhet t’i respektojmë dhe t’i duam prindërit dhe t’u bindemi atyre.
  6. Nuk duhet të vrasim apo të kemi mendime plot urrejtje kundër të tjerëve.
  7. Nuk duhet të shkelim kurorën, as me trup as në mendje.
  8. Nuk duhet të vjedhim.
  9. Nuk duhet të themi gënjeshtra.
  10. Nuk duhet të bëhemi xhelozë për pasuritë e të tjerëve.

Mëkati është thyerja e ligjit. 10

Në ligj nuk ka asgjë të keqe dhe çdo gjë që është e mirë nuk e thyen këtë ligj. 11

Jezusi tha se dy parimet e mëdha mbi të cilat është bazuar ligji janë këto: Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten. 12

Ligji dhe ne

Kur e lexojmë këtë ligj, kuptojmë dy gjëra. Së pari, ndërgjegjja na thotë se ligji është i mirë dhe i drejtë. Dhe, së dyti, kuptojmë se asnjë nga ne nuk e ka mbajtur këtë ligj dhe, po të jemi të ndershëm, as që nuk duam ta mbajmë fare. Pse? Perëndia thotë se kjo ndodh ngaqë jemi mëkatarë. Që nga rebelimi i njeriut të parë kundër Perëndisë, natyrën e kemi të duam të bëjmë ato gjëra që e thyejnë ligjin e Perëndisë. 13

Kur e thyejmë ligjin e Perëndisë e fyejmë atë, e pështyjmë në fytyrë. Por Perëndia nuk është i egër. Perëndia nuk është keqdashës. Perëndia është i ngadalshëm në zemërim14. Por zemrat tona të mëkatshme dhe gjërat e këqija që bëjmë janë kaq serioze saqë zemërimi i Perëndisë duhet të na bëjë të frikësohemi. Perëndia do ta ndëshkojë të gjithë mëkatin. 15

Fakti se Perëndia është i zemëruar me të gjithë njerëzit është shpjegimi kryesor për gjendjen e tanishme të botës. Por jo vetëm kaq, nëse zemërimi i tij nuk shmanget, pasi të vdesim do të shkojmë në ferr dhe do ta përjetojmë zemërimin e Perëndisë përjetë. 16

Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. 17

Vepra e Jezus Krishtit

Të gjithë njerëzit janë nën mallkimin e Perëndisë për shkak të mëkatit të tyre. Por Perëndia nuk i la gjërat këtu. Ai ka bërë një gjë shumë të mrekullueshme. 18

Perëndia Bir u bë njeri. Por, ai nuk pushoi kurrë së qeni, në të njëjtën kohë, ai që kishte qenë përherë – Perëndi. Por ai u bë diçka që nuk kishte qenë më parë – njeri. Në fillim të shekullit të parë ai u lind në qytetin e Betlehemit në Izrael dhe u quajt Jezus. Ai punoi pjesën më të madhe të jetës së tij si zdrukthëtar në qytetin e vogël të Nazaretit. 19
Si njeri ai nuk ishte i ndryshëm nga të tjerët, përveç një gjëje, ai nuk ishte mëkatar. Ai nuk mëkatonte. Jezusi e mbajti plotësisht ligjin e Perëndisë në çdo detaj. 20

Nga mosha tridhjetë vjeç, tre vjet para se të kryqëzohej në Jeruzalem, Jezusi filloi të shkonte kudo dhe t’u thoshte njerëzve të besonin në të si Biri i Perëndisë dhe ta ndiqnin. Gjatë kësaj kohe ai bëri shumë mrekulli në mënyrë që njerëzit ta shihnin se pohimi i tij se ishte Perëndia Bir ishte i vërtetë. Pse u kërkoi me ngulm njerëzve Jezusi që të besonin në të? Sepse Perëndia kishte një plan në gjithë këtë gjë për t’i shpëtuar njerëzit, për t’i çliruar ata nga pasojat e tmerrshme të mëkatit të tyre. Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të. 21

Jezus Krishti në Vendin e Mëkatarit

Zëvendësuesi është një person që merr vendin e një tjetri. Thelbi i ungjillit (lajmit të mirë) të krishterë është se Jezusi ishte zëvendësues. Po ç’duam të themi ne me këtë?

Kemi parë deri tani se Bibla na mëson se i gjithë mëkati duhet të ndëshkohet. Nuk ka asnjë mëkat, sado i madh apo i vogël qoftë ai, që Perëndia ta kalojë ‘me një sy të mbyllur dhe me një vesh të shurdhër’. Çdo mëkat duhet të shpaguhet. 22

Por Perëndia ka caktuar dy vende ku mëkati të paguhet përfundimisht. Njëri prej tyre është ferri. Tjetri është kryqi i Jezus Krishtit. Ferri është vendi ku njerëzit do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin për mëkatin e tyre. Dhe kryqi është vendi ku njeriu-Perëndi i pafundëm, Jezus Krisht, vuajti në histori për mëkatet që nuk ishin të tija. Ai vuajti për mëkatet e të tjerëve. 23

Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish. 24

Dhimbja që Jezusi duroi në kryq ishte shumë më tepër sesa ajo e një vdekjeje të dhunshme. Ai vuajti, në të njëjtën kohë, zemërimin e Perëndisë duke mbajtur gjithë dënimin e mëkatit mbi veten e tij.25 Jezusi ka qenë zëvendësuesi i caktuar nga Perëndia. Ai e mbajti ndëshkimin i cili duhet të mbahej nga të tjerët, duke larguar kështu mëkatin e tyre.
Ai nuk vdiq për këdo. Ai vdiq vetëm për disa individë të caktuar – Për cilët individë? – Për këdo që beson në të. Ai vdiq në vendin e të gjithë atyre të cilët në çdo kohë besojnë në të; Jezusi tha: Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet… Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin. 26

Të quhesh i drejtë në sytë e Perëndisë

Jezusi vdiq në kryq dhe pastaj u hoq dhe u varros. Por tri ditë më vonë ai ishte i gjallë. Perëndia e çoi së vdekurish, për të mos vdekur më kurrë.27 Kjo ishte prova e Perëndisë së faji të cilin Jezusi barti për të tjerët tani ishte hequr plotësisht. Kjo ishte mënyra me të cilën Perëndia tregoi se Jezusi i kishte çliruar me të vërtetë njerëzit nga ndëshkimi i mëkatit.

Të besoni në Perëndinë që e ringjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi, që besimi juaj dhe shpresa të jenë në Perëndinë. 28

Jezusi vdiq për ata të cilët qenë bashkuar me të në dashurinë dhe planin e Perëndisë që nga përjetësia.29 Megjithatë, kjo lidhje me Krishtin bëhet fakt i kryer në jetën e mëkatarit vetëm atëherë kur ai vjen dhe i kërkon Krishtit falje për të gjitha mëkatet e tij. Ungjilli i krishterë është se Perëndia i trajton mëkatarët që besojnë njësoj sikur ata të ishin bindur dhe të kishin vuajtur personalisht të gjitha ato që Jezusi vuajti dhe u bind për hir të tyre, sepse ata tani janë bashkuar me të. Perëndia vuri mbi Jezusin të gjitha ato që meritonim ne, dhe me ne ai vë të gjitha ato që meriton Krishti.30Besimtari, pra, duhet të thotë:

Në një jetë që nuk e jetova unë,
Në një vdekje që nuk e vuajta unë,
Në jetën e një Tjetri, në vdekjen e një Tjetri,
Unë besoj për gjithë jetën time të përjetëshme.

Mëkatet e popullit të Krishtit janë paguar dhe falur plotësisht, dhe bindja e përkryer e Krishtit garanton pozitivisht pranimin e tyre te Perëndia. Ja, pra, se si pajtohen njerëzit me Perëndinë.

Nga: Xhon Benton – “Eja beso Krishtin!” Shtëpia Botuese Tenda, Prishtinë 2002

[9] Eksodi 20:1-17; Mateu 5:21-32.

[10] 1 Gjonit 3:4.

[11] Romakëve 7:12.

[12] Lluka 10:27-28; Marku 12:30-31.

[13] Romakëve 3:23; Romakëve 3:10-12;Predikuesi 7:20.

[14] Psalmi 103:8.

[15] Eksodi 34:6-7; Psalmi 7:11; Romakëve1:18.

[16] Mateu 25:31-46; Zbulesa 20:11-15.

[17] Mateu 10:28.

[18] Efesianëve 2:4.

[19] Gjoni 1:1-14; 1 Timoteut 3:16.

[20] Romakëve 8:3; 1 Pjetrit 2:22.

[21] Gjoni 3:36.

[22] Romakëve 6:23; Zanafilla 18:25; Romakëve12:19.

[23] Marku 9:43-48; Isaia 53:4-12; 1 Gjoni 4:10.

[24] 1 Pjetrit 3:18.

[25] Mateu 27:46.

[26] Gjoni 10:11-27; Romakëve 8:28-32.

[27] Gjoni 20:1-23; Veprat 2:24-32; 1Korintasve 15:3-8.

[28] 1 Pjetrit 1:21.

[29] Efesianëve 1:3-14.

[30] 2 Korintasve 5:21; Filipianëve 3:9.